Një statujë gjigante e Virgjëreshës Mari, që besohet të jetë më e larta në Evropë, u përurua të shtunën në një fshat të vogël polak, në prani të udhëheqësit antikomunist Lech Wałęsa. The Guardian raporton se, qindra njerëz morën pjesë në shenjtërimin e monumentit, i cili ngrihet 55.6 metra mbi Konotopie në Poloninë qendrore , një fshat me më pak se 150 banorë.

Ndërsa helikopterët shpërndanin trëndafila të kuq në miniaturë mbi turmën, priftërinjtë me rroba të bardha festuan meshën dhe ansambli folklorik Mazowsze këndoi dhe kërceu me muzikë tradicionale polake.

Statuja është më e lartë, megjithëse vendndodhja e saj është më pak dramatike, sesa statuja e Krishtit Shëlbues në Rio de Janeiro, Brazil, e cila mat 38 metra, përfshirë piedestalin e saj. Lartësia e monumentit polak përfshin një piedestal 15 metra në formë kurore.

Gjithashtu, ajo tejkalon një tjetër monument fetar në shkallë të gjerë në Poloni, statujën e Krishtit Mbret në qytetin perëndimor të Świebodzin, e cila u zbulua në vitin 2010 dhe, me kodrën mbi të cilën qëndron, është 52.5 metra e lartë.

Në Filipine ekziston një statujë më e lartë e Virgjëreshës Mari, e cila është 98 metra e lartë. Por ajo e reja në Poloni besohet të jetë më e madhja e këtij lloji në Evropë. Wałęsa, i cili fitoi çmimin Nobel për Paqen për udhëheqjen e tij të rezistencës antikomuniste polake si kreu i sindikatës Solidariteti dhe më vonë u bë president i Polonisë, ishte në rreshtin e parë gjatë ceremonisë së inaugurimit