Në një zhvillim të papritur, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tendosura të javëve të fundit, Elon Musk ka lavdëruar sot Donald Trump për përfshirjen e tij në përpjekjet për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.

Reagimi i Musk erdhi pasi presidenti amerikan njoftoi në platformën Truth Social se Izraeli kishte pranuar kushtet për një armëpushim dy-mujor me Hamasin. “Izraeli ka rënë dakord për kushtet e nevojshme për të finalizuar një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, shkroi Trump, duke shtuar se ishte koha që Hamasi të pranojë propozimin “përfundimtar”.

Musk komentoi duke thënë se “Trump me të vërtetë ka zgjidhur disa konflikte serioze në të gjithë botën”, një deklaratë që befasoi opinionin publik, veçanërisht pas përplasjes së fortë të të dyve ditët e fundit.

Vetëm pak orë më parë, themeluesi i Teslës kishte ashpërsuar kritikat ndaj projektligjit të buxhetit të promovuar nga Trump, duke paralajmëruar madje krijimin e një partie të re nëse ai miratohet. Ai ka shprehur shqetësimin se projektligji do të rrisë limitin e borxhit me 5 trilionë dollarë dhe do të godasë rëndë sektorin e teknologjisë dhe inovacionit.

Nga ana tjetër, Trump ka reaguar me ton të ashpër, duke përmendur mundësinë e dëbimit të Musk nga Shtetet e Bashkuara, dhe duke ironizuar rolin e tij në Komisionin për Efikasitetin e Qeverisë. Ai shtoi se Musk ka përfituar “më shumë subvencione se çdo qenie njerëzore në histori” dhe se pa to “ndoshta do të kthehej në shtëpi në Afrikën e Jugut”.

Pavarësisht shkëmbimeve të ashpra, vlerësimi i sotëm nga Musk për përpjekjet e Trump në Lindjen e Mesme duket se sinjalizon një ton më të matur të paktën për momentin në marrëdhëniet mes dy figurave të forta që kanë ndikuar ndjeshëm në politikat dhe ekonominë e SHBA-së. Mbetet për t’u parë nëse ky është një hap drejt afrimit apo thjesht një përjashtim diplomatik në një përplasje që pritet të vazhdojë.