Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy duket se ka bërë kthesë dhe kërkon të rikuperojë marrëdhëniet me SHBA-të, pas përplasjes me homologun Donald Trump.
Zelensky tha të dielën se vendi i tij është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet e rralla me Shtetet e Bashkuara dhe se beson që kjo mund të shpëtojë marrëdhëniet me Trump.
Në një konferencë për shtypin pas një takimi të udhëheqësve evropianë në Britani, Zelensky tha se mendon që Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithashtu të gatshme të nënshkruajnë marrëveshjen e mineraleve, por mund të “duhet kohë për të analizuar disa gjëra”.
“Unë mendoj se ndalimi i një ndihme të tillë vetëm do të ndihmojë Putin. Dhe për shkak të kësaj, unë mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësuesit e botës së qytetëruar, udhëheqësit e kësaj bote, definitivisht nuk do ta ndihmojnë Putinin”– tha ai.
Të dyja palët pritej të nënshkruanin një marrëveshje javën e kaluar gjatë një vizite të Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë, por marrëveshja u prish pas shkëmbimeve të ashpra gjatë një takimi me Presidentin Trump dhe nënpresidentin JD Vance.
Presidenti Trump e quajti Zelenskyn mosmirënjohës gjatë takimit të tyre të së premtes dhe ka kërkuar marrëveshjen për mineralet si një mënyrë për të rimbursuar Shtetet e Bashkuara për miliarda dollarë ndihma që i kanë dhënë Ukrainës.



