Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, ku u diskutuan zhvillimet e fundit të luftës dhe hapat e ardhshëm diplomatikë.
Në një reagim në platformën X, Zelensky deklaroi se Ukraina është e gatshme të angazhohet në “formatin e udhëheqësve”, të cilin e cilësoi si të vetmin efektiv për të çuar përpara procesin paqësor. Ai akuzoi Moskën se po e shmang këtë format dhe po intensifikon sulmet kundër Ukrainës.
Sipas tij, vetëm gjatë ditëve të fundit Rusia ka goditur me mbi 30 raketa dhe rreth 600 dronë, duke dëshmuar se Kremlini nuk ka ndërmend të ndalë agresionin. “Kjo është përgjigjja e Putinit ndaj të gjitha përpjekjeve të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë për të ndalur vrasjet. Prandaj nevojitet më shumë presion përmes sanksioneve, tarifave dhe masave politike”, theksoi lideri ukrainas.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës mes dy presidentëve lidhej me garancitë e sigurisë për Ukrainën. Zelensky bëri të ditur se këshilltarët e sigurisë kombëtare po përgatisin një kornizë të plotë që pritet të finalizohet javën e ardhshme.
Nga ana e tij, Presidenti Erdoğan ka njoftuar se ka përfshirë ministrin turk të Mbrojtjes në këtë proces, me qëllim që Ankaraja të shqyrtojë mënyrat se si mund të kontribuojë në forcimin e sigurisë së Ukrainës, veçanërisht në zonën e Detit të Zi.
