Mes një reference të tërthortë ndaj luftës në Ukrainë dhe theksimit të besimit në fitoren e Rusisë, u shoqërua mesazhi i Vitit të Ri i presidentit rus, Vladimir Putin.

Kreu i Kremlinit theksoi se, ndonëse secili përjeton përvoja personale dhe unike, ato janë të lidhura ngushtë me rrugëtimin e vendit. Sipas tij, puna dhe arritjet e çdo qytetari përbëjnë kapituj të rinj në historinë mijëravjeçare të Rusisë, ndërsa uniteti i popullit është një faktor kyç për sovranitetin, sigurinë dhe zhvillimin e shtetit. Putin u ndal veçanërisht te domethënia e Vitit të Ri, të cilin e përshkroi si një festë të besimit te e mira dhe shpresa, por edhe si një moment kur spikasin vlera si dashuria, miqësia, dhembshuria dhe bujaria. Në këtë kontekst, ai theksoi mbështetjen për personat që kanë nevojë për kujdes, si edhe për ushtarët që marrin pjesë në luftën në Ukrainë.

Duke iu drejtuar pjesëtarëve të forcave të armatosura ruse, Putin deklaroi se ata kanë marrë përsipër përgjegjësinë për të luftuar “për atdheun”, “të vërtetën dhe drejtësinë”, duke nënvizuar se miliona qytetarë në të gjithë Rusinë janë në krah të tyre në prag të Vitit të Ri.

“Ne besojmë tek ju dhe tek fitorja jonë”, u shpreh ai.

Në mbyllje të mesazhit, presidenti rus iu referua momentit të ndërrimit të viteve, i cili tradicionalisht festohet me njerëzit më të afërt, edhe kur ata ndodhen larg. Ai u uroi qytetarëve shëndet, lumturi, mirëkuptim të ndërsjellë dhe begati, duke vënë theksin te dashuria si burim frymëzimi. Njëkohësisht, Putin i ftoi qytetarët të gjejnë forcë te traditat, besimi dhe kujtesa kolektive, në mënyrë që të qëndrojnë të bashkuar.

Kujtojmë se gjatë urimit për Krishtlindjen, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i uroi vdekjen Vladimir Putinit, dhe “shuarjen” e Rusisë.