Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ai është gati për takim me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, por ky i fundit do që të vazhdojë luftën.
“Ne jemi gati për çdo lloj takimi, por nuk mendojmë se Putini është në të vërtetë gati për t’i dhënë fund luftës; ai nuk dëshiron ta përfundojë atë.
Nga ana tjetër, hapi i parë drejt paqes është “një armëpushim, dhe Putini, përkundrazi, po rrit veprimet ushtarake”, tha ai në forumin e Shtëpisë Evropiane Ambrosetti.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se 26 vende ishin zotuar të ofronin garanci sigurie pas luftës për Ukrainën, duke përfshirë një forcë ndërkombëtare në tokë, det dhe ajër.
Macron fillimisht tha se këto vende do të dislokoheshin në Ukrainë, por më vonë tha se disa prej tyre do të ofronin garanci ndërsa do të mbeteshin jashtë Ukrainës, për shembull duke ndihmuar në trajnimin dhe pajisjen e forcave të Kievit.