Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka hequr sot shtetësinë kryebashkiakut të Odesës Gennady Trukhanov.
Kjo erdhi pasi shërbimi i sigurisë së Ukrainës tha se Trukhanov ishte shtetas rus. Trukhanov mohoi se ka shtetësi ruse dhe tha se do të apelonte në gjykata.
“Do të mbrohem, do të shkoj në gjykatë. Nëse gjykata nuk mund të vendosë, do të apeloj në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ky është kulmi, e dini, arbitraritetit që nuk mund të lejohet“, tha Trukhanov.
Mediat e huaja shkruan se Ukraina i ndalon qytetarët e saj të mbajnë shtetësi ruse dhe Trukhanov, i cili ka qenë kryetar bashkie i qytetit portual më të madh të Ukrainës që nga viti 2014, është kritikuar gjatë gjithë karrierës së tij politike për mbajtjen e shtetësisë së dyfishtë.
“Tani kam prova se nuk mundesha, as si person fizik dhe as ligjërisht, të merrja shtetësi ose pasaporta ruse”, tha Trukhanov për transmetuesin publik “Suspilne”.
Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës tha se vendimi për t’i hequr shtetësinë Trukhanov ishte bazuar në provat që kishte siguruar se Trukhanov mbante një pasaportë të vlefshme ruse. Ai postoi një foto në Telegram që dukej se tregonte një faqe të fotokopjuar të një pasaporte ruse që mbante emrin dhe fytyrën e Trukhanov. Trukhanov ka qenë gjithashtu nën hetim që nga viti 2017 me akuza për përvetësim, të cilat ai i ka mohuar. Sipas kushtetutës ukrainase, presidenti ka fuqinë të revokojë shtetësinë.
“Shtetësia ruse e disa individëve është konfirmuar janë përgatitur vendime përkatëse për ta. Dekreti është nënshkruar“, shkroi presidenti në Telegram.
Oleksiy Khondcharenko, një deputet i opozitës nga Odessa dhe një kritik i ashpër i Zelensky-t, tha se Trukhanov kishte shumë pyetje për t’u përgjigjur, por megjithatë ai e dënoi heqjen e shtetësisë së tij.
“Sot ata do ta heqin Trukhanov-in dhe të gjithë do të gëzohemi sepse ai është i keq, por nesër kjo makinë shtypjeje do të lëshohet kundër atyre që do të konsiderohen të papërshtatshëm”, shkroi ai në Telegram.