Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një vizitë historike në Afrikën e Jugut, në një përpjekje të qartë për të forcuar lidhjet me kontinentin afrikan dhe për të sfiduar ndikimin në rritje të Rusisë në rajon. Megjithatë, vizita u ndërpre për shkak të një sulmi ajror të papritur rus mbi Kievin, duke e detyruar kreun e shtetit ukrainas të kthehet urgjentisht në vend.

“Jam i detyruar të anuloj pjesën tjetër të programit dhe të kthehem menjëherë në Ukrainë,” tha Zelensky në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, duke shtuar se do të zhvillonte një takim të shkurtër me presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, përpara se të largohej.

Vizita shënoi përpjekjen më të qartë të Kievit për të korrigjuar neglizhencën ndaj Afrikës në politikën e jashtme të viteve të mëparshme. Vetëm në tre vitet e fundit, Ukraina ka dyfishuar numrin e ambasadave në kontinent nga 10 në 20 si pjesë e një strategjie më të gjerë për të ndërtuar mbështetje globale.

Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se kjo lëvizje është pjesë e një loje të ndërlikuar diplomatike, ku përveç Rusisë, edhe Kina, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po garojnë për ndikim në Afrikë.

“Ukraina ka nevojë për çdo gram legjitimiteti ndërkombëtar,” u shpreh Prof. Siphamandla Zondi nga Universiteti i Johannesburgu. “Lufta nuk fitohet vetëm në fushën e betejës, por edhe në opinionin publik ndërkombëtar.”

Nga ana tjetër, edhe për presidentin Ramaphosa vizita kishte peshë të veçantë. I ndodhur nën presion të fortë nga administrata Trump, e cila ka vendosur tarifa të rënda mbi eksportet afrikano-jugore dhe ka kritikuar qëndrimet e vendit në çështje të ndjeshme ndërkombëtare, Ramaphosa po kërkon të rikthejë besimin në arenën ndërkombëtare.

Në prag të vizitës së Zelenskyt, Ramaphosa njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin Trump dhe se të dy liderët kishin rënë dakord për një takim të parë që nga rikthimi i Trump në pushtet. Shpresa e tij është që bisedimet ta zbusin qëndrimin e ashpër amerikan, veçanërisht në lidhje me tarifat, që mund të godasin rëndë ekonominë e brishtë të vendit.

Zelensky dhe Ramaphosa diskutuan edhe për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Ukraina sheh në Afrikën e Jugut një derë hyrëse për në kontinent, falë porteve dhe sistemit të zhvilluar financiar të saj.

Pavarësisht përpjekjeve të Ukrainës për të tërhequr vëmendjen e Afrikës në drejtimin e saj, ekspertët paralajmërojnë se kontinenti nuk do të zgjedhë lehtësisht mes Kievit dhe Moskës.

“Afrika ka nevojë për të dyja,” thotë një analist i marrëdhënieve ndërkombëtare. “Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë eksportuesit më të mëdhenj të drithërave për kontinentin. Neutraliteti është rruga që do të ndjekin shumica e vendeve afrikane.”

Në fund, vizita e Zelenskyt, megjithëse e ndërprerë, shënon një kthesë në përpjekjet e Ukrainës për të rritur praninë e saj globale, dhe një moment kyç për Afrikën e Jugut në përpjekjet për të balancuar diplomacinë mes fuqive të mëdha. Në një botë gjithnjë e më shumë të polarizuar, çdo hap diplomatik ka peshën e vet strategjike.//BBC