Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Spanjë, ku pritet të zhvillojë takime me drejtues të lartë ndërkombëtarë, në kuadër të Samitit Ibero-Amerikan në Madrid.
Në fokus të bisedimeve do të jetë forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës, veçanërisht përballë sulmeve ruse në prag të dimrit.
Përmes një postimi në Telegram, Zelensky bëri të ditur se në ditët në vijim do të zhvillojë gjithashtu kontakte me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, përpara takimit të planifikuar trepalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Abu Dhabi.
“Ne po koordinohemi me partnerët tanë për të arritur rezultate të prekshme në çështjet e sigurisë dhe hapat e ardhshëm drejt paqes”, shkroi presidenti ukrainas.
Ndërkohë, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, deklaroi se delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë do të mblidhen në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor, me ndërmjetësimin e SHBA-së.
Në tryezën e bisedimeve pritet të diskutohen mundësitë për përfundimin e luftës në Ukrainë, garancitë e sigurisë pas konfliktit dhe ulja e tensioneve mes palëve.
Zyra e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez bëri të ditur se ky i fundit do të takohet me Zelenskyn të martën.
Vizita në Spanjë vjen pas një ndalese të presidentit ukrainas në Gjermani, ku zhvilloi takime me zyrtarë vendas.
