Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi të dielën një riorganizim të madh të qeverisë së tij, duke thënë se së shpejti do të ketë një kryeministër dhe kabinet të ri.

“Ukraina po e ndryshon strategjinë e saj politike”, shkroi Zelenskyy në një postim në X, duke shtuar se e kishte diskutuar çështjen me kryeministrin aktual Yuliia Svyrydenko.

“Ne përcaktuam se këto ndryshime kërkojnë një rinovim të Kabinetit të Ministrave”, vazhdoi ai. “Jam mirënjohës ndaj Yuliias për punën e saj të qartë, të qëndrueshme dhe efektive si Kryeministre, për vitet e saj të shërbimit produktiv në ekipin e Ukrainës dhe i kam ofruar asaj mundësinë për të udhëhequr një fushë të re dhe të rëndësishme marrëdhëniesh me një partner kyç”.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi rolin e ri të Svyrydenko-s apo zëvendësimin e saj.

Në postimin e saj në rrjetet sociale, Svyrydenko tha se ishte krenare për punën e saj në detyrë dhe se mbetej “e gatshme t’i shërbente shtetit ukrainas”.

Në Ukrainë, riorganizimet e kabinetit kërkojnë miratimin parlamentar. Megjithatë, ligjvënësit janë mbledhur kryesisht rreth Zelensky-t që kur filloi pushtimi rus i vendit në shkurt 2022 dhe zakonisht nuk e bllokojnë axhendën e tij.

Sulmet ruse në Ukrainë vazhdojnë

Ky veprim vjen pasi sulmet ruse në rajonin e Dnipropetrovskit në Ukrainën juglindore vranë të paktën tre persona gjatë natës, njoftuan autoritetet lokale.

Një person u vra gjithashtu pas një sulmi me dron në Kherson, sipas Yaroslav Shanko, kreut të Administratës Ushtarake të Qytetit të Khersonit.

Të hënën, udhëheqësit e aleatëve të Ukrainës nën “Koalicionin e të Gatshmëve” do të takohen në Paris për bisedime mbi përfundimin e luftës.