Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi administratën Trump për devijimin e 20,000 raketave anti-dronë, të cilat ishin planifikuar fillimisht për mbrojtjen e Ukrainës, drejt forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Ai bëri deklaratën gjatë një interviste për ABC News, ku theksoi rëndësinë e këtyre raketave për mbrojtjen nga dronët vdekjeprurës Shahed të prodhuar nga Irani dhe të përdorur masivisht nga Rusia.
“Kemi probleme të mëdha me Shaheds,” tha Zelensky, duke shtuar se raketat e përmendura ishin të dizajnuara enkas për t’u përballur me këtë kërcënim, ndonëse me kosto të ulët. Ai konfirmoi se tashmë ka arritur një marrëveshje me administratën Biden për furnizimin me këto raketa.
Sipas një raportimi të “Wall Street Journal”, vendimi për devijimin e raketave u mor më 4 qershor nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, në kuadër të përgatitjeve për një konflikt të mundshëm me Iranin dhe rebelët Huthi në Jemen. Ky veprim përkoi me mungesën e Hegseth në takimin e fundit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës hera e parë që një sekretar i Mbrojtjes amerikane mungonte që prej fillimit të pushtimit rus më 2022.
Zelensky kritikoi gjithashtu deklaratat e fundit të ish-presidentit Trump, i cili e kishte krahasuar luftën në Ukrainë me “dy fëmijë që zihen në një park.” Presidenti ukrainas u përgjigj me tone të ashpra: “Ne nuk jemi fëmijë me Putinin në një shesh lojërash. Ai është një vrasës që erdhi për të vrarë fëmijët në atë park.”
Zelensky i kërkoi Shteteve të Bashkuara të riafirmojnë mbështetjen për Kievin dhe të angazhohen për arritjen e një armëpushimi 30-ditor. Ai gjithashtu mbështeti thirrjet për sanksione të reja ndaj Rusisë, duke përfshirë një propozim nga senatori republikan Lindsey Graham për vendosjen e tarifave 500% për vendet që vazhdojnë të blejnë energji nga Moska.
“Presidenti i SHBA ka fuqinë dhe ndikimin për të marrë masa vendimtare,” theksoi Zelensky, duke paralajmëruar se mbështetja ndërkombëtare është kyçe për ndaljen e agresionit rus.
