Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, do t’i drejtohet Këshillit Evropian ditën e hënë për të kërkuar më shumë ndihmë për vendin e tij, për t’i dhënë fund agresionit rus.

Në një letër para sesionit dyditësh, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Ukraina “po tregon guxim dhe dinjitet të jashtëzakonshëm përballë agresionit dhe mizorive ruse. Ne do të diskutojmë se si të organizojmë më së miri mbështetjen tonë për rindërtimin e Ukrainës. Do të kërkohet një përpjekje e madhe globale për të rindërtuar vendin”.

Në një video të bërë ditën e dielë Zelenskyy tha se sulmet ruse kanë dëmtuar 90 për qind të ndërtesave në Sievierodonetsk, duke rrënuar telekomunikacionin dhe duke shkatërruar më shumë se dy të tretat e banesave të qytetit.

Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov ka deklarur për televizionin francez TF1, se Rusia është e pakushtëzuar në çlirimin e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, pasi sipas shtetit të tij ato janë “shtete të pavarura”.

Rusia e përqendroi vëmendjen e saj në Donetsk dhe Luhansk, në rajonin e Donbasit, pasi zhvendosi shumë nga forcat e saj që fillimisht ishin përqendruar në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku u përballën me rezistencë të ashpër në periudhat fillestare të agresionit.