Një ngjarje tronditëse ka ngritur pikëpyetje të mëdha në Itali, pasi një zemër e dhuruar për një djalë dyvjeçar dyshohet se është dëmtuar gjatë transportit, duke e lënë të miturin në gjendje kritike për jetën. Fëmija, i lindur me kardiomiopati, një sëmundje që trash muskujt e zemrës dhe vështirëson funksionimin e saj, ishte në listë pritjeje për transplant. Shpresa erdhi pas vdekjes tragjike të një 4-vjeçari në Bolzano, familja e të cilit pranoi të dhuronte organet.
Zemra u transportua drejt Napolit, në spitalin Monaldi, ku u krye ndërhyrja kirurgjikale. Por pas operacionit, mjekët konstatuan se organi nuk po funksiononte. Sipas hetimeve paraprake, zemra mund të jetë transportuar në një kuti plastike të zakonshme dhe me akull të thatë, i cili krijon temperatura shumë më të ulëta se sa kërkohet për ruajtjen e organeve. Dyshohet se mungesa e pajisjeve për matjen e temperaturës ka bërë që dëmtimi të mos zbulohej në kohë.
Gjashtë mjekë janë vënë nën hetim, ndërsa policia po verifikon nëse janë shkelur protokollet standarde të transportit të organeve. Prej operacionit, vogëlushi ndodhet në mbështetje jetësore. Mjekët në spitalin pediatrik të Vatikanit në Romë kanë paralajmëruar se koha e gjatë në aparatura po i përkeqëson gjendjen, duke shkaktuar komplikacione në mushkëri, mëlçi dhe veshka, çka mund ta bëjë një transplant të dytë tepër të rrezikshëm.
Nëna e tij, Patrizia Mercolino, ka bërë një apel publik drejtuar Papës, duke kërkuar ndihmë për të gjetur një zemër tjetër për djalin e saj. Ajo shprehet se e vetmja dëshirë është ta rikthejë fëmijën në shtëpi. Autoritetet shëndetësore vijojnë hetimet për të zbardhur nëse ka pasur neglizhencë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë në këtë rast që ka tronditur opinionin publik.




