Qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës votojnë këtë të diel në zgjedhjet e përgjithshme, në një klimë të tensionuar politike dhe me kërkesa për ndryshim. Rreth 3.4 milionë votues janë thirrur të zgjedhin Presidencën trepalëshe, Parlamentin qendror dhe institucionet e dy entiteteve të vendit.
Në disa qendra votimi janë raportuar vonesa për shkak të problemeve me sistemin e ri elektronik të identifikimit dhe skanimit të votave, i vendosur për të rritur transparencën dhe për të parandaluar manipulimet.
Fushata është dominuar nga ndarjet etnike dhe nga figura e Milorad Dodikut, edhe pse ai nuk është kandidat. Ish-presidenti i Republika Srpska, i ndaluar të mbajë poste publike pas një dënimi gjyqësor, vazhdon të ketë ndikim të madh përmes partisë së tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD.
Partia e Dodikut synon të ruajë kontrollin në entitetin serb, ndërsa votuesit shprehen të lodhur nga retorika nacionaliste dhe përplasjet politike. Ekonomia e dobët, standardi i jetesës, korrupsioni dhe largimi i të rinjve janë ndër shqetësimet kryesore.
Bosnjë-Hercegovina vazhdon të përballet me pasojat e luftës së viteve 1992–1995. Marrëveshja e Dejtonit i dha fund konfliktit, por krijoi një strukturë komplekse shtetërore, me dy entitete – Republika Srpska dhe Federata Boshnjako-Kroate – dhe institucione qendrore me kompetenca të kufizuara.
Pikërisht kjo ndarje vazhdon të pengojë edhe procesin e integrimit europian. Bosnjë-Hercegovina kërkon të avancojë drejt Bashkimit Evropian, por reformat politike dhe institucionale mbeten të ngadalta, ndërsa ndikimi i Rusisë në Republika Srpska shqetëson partnerët perëndimorë.
Zgjedhjet zhvillohen në një klimë ku partitë kryesore nacionaliste – SDA, SNSD dhe HDZ BiH – përballen me forca opozitare që kërkojnë reforma dhe një orientim më të fortë europian.
Për shumë qytetarë, kjo garë nuk është vetëm për një mandat të ri politik. Është një zgjedhje mes vazhdimit të modelit të vjetër të ndarjeve etnike dhe kërkesës për ndryshim, zhvillim ekonomik dhe integrim më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Rezultatet e para pritet të publikohen pas mbylljes së procesit të numërimit, ndërsa rezultati përfundimtar do të përcaktojë jo vetëm balancat e reja politike në Sarajevë dhe dy entitetet, por edhe drejtimin e ardhshëm të vendit.
