Më shumë se 43 milionë amerikanë kanë votuar para kohe, më pak se një javë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të cilat do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin për dy vitet e ardhshme.
Sipas të dhënave të Laboratorit Zgjedhor të Universitetit të Floridës, çdo ditë janë hedhur nga katër deri në pesë milionë vota të parakohshme, një ritëm dukshëm më i lartë krahasuar me shumicën e zgjedhjeve të mëparshme.
Teksasi është ndër shtetet me pjesëmarrjen më të lartë, ndërsa të dhënat tregojnë një rritje të votimit edhe në komunitetet hispanike. Sipas profesorit Mike McDonald, i cili drejton bazën e të dhënave të Laboratorit Zgjedhor, Teksasi ka regjistruar tashmë rreth 5.8 milionë vota, duke tejkaluar me afërsisht 1.75 milionë votues shifrat e zgjedhjeve të vitit 2022.
Ky shtet konsiderohet një nga fushëbetejat kryesore elektorale, pasi rezultati mund të ndikojë në kontrollin e Senatit amerikan gjatë pjesës së mbetur të mandatit presidencial të Donald Trump.
Të dhënat paraprake tregojnë gjithashtu një rritje të votave të hedhura nga demokratët, ndërsa pjesëmarrja e hershme e republikanëve mbetet përgjithësisht në nivele të ngjashme me vitin 2022. Sipas shifrave të së enjtes, 44% e votave të parakohshme janë hedhur nga demokratët, 31.2% nga republikanët, ndërsa 24.7% e votuesve nuk kanë deklaruar përkatësi partiake.
Megjithatë, këto të dhëna përfshijnë vetëm rreth gjysmën e shteteve që regjistrojnë përkatësinë politike të votuesve dhe nuk tregojnë domosdoshmërisht se për cilët kandidatë kanë votuar ata.
Një tjetër prirje e evidentuar është rritja e pjesëmarrjes së komuniteteve hispanike dhe afrikano-amerikane në disa shtete, përfshirë Karolinën e Veriut, Xhorxhian dhe Floridën. Në Teksas, ku votuesit nuk janë të detyruar të deklarojnë përkatësinë partiake apo racën, rritje është vënë re edhe në disa qarqe përgjatë kufirit me Meksikën, ku popullsia hispanike përbën më shumë se 90% të banorëve.
Votimi i parakohshëm është zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht pas pandemisë së COVID-19, kur më shumë shtete ofruan mundësi për të votuar përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, si personalisht, ashtu edhe përmes postës.
Në zgjedhjet e vitit 2020, më shumë se dy të tretat e të gjitha votave u hodhën përpara ditës së zgjedhjeve. Megjithatë, sipas McDonald, votuesit po tregojnë një preferencë në rritje për të votuar personalisht, edhe kur e bëjnë këtë para kohe.
Ai vlerëson se kjo prirje mund të lidhet me shqetësimet për votimin me postë, ku gabimet mund të çojnë në skualifikimin e fletëve të votimit. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar arsyet e sakta të këtij ndryshimi.
Pjesëmarrja në votimin e parakohshëm pritet të bjerë ndërsa afrohet dita zyrtare e zgjedhjeve, më 3 nëntor, kur votuesit do të vendosin për përbërjen e Kongresit amerikan.
Top Channel
