Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë shoqëruar me pjesëmarrje të lartë të votuesve, por edhe me raportime për incidente në disa zona të vendit.

Sipas vlerësimit të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), rreth 61% e zgjedhësve kishin votuar deri në orën 17:00. Ndërkohë, Komisioni Zgjedhor raportoi zyrtarisht pjesëmarrje prej 56,38% deri në orën 16:00, dukshëm më e lartë se 42,36% e regjistruar në të njëjtën orë gjatë zgjedhjeve të vitit 2023.

Përveç pjesëmarrjes, procesi është shoqëruar edhe me tensione. Sipas raportimeve të medias serbe “Danas”, janë shënuar incidente ndaj mbështetësve të listës studentore në Nish dhe Hrtkovci.

Në Leskovc, votimi është ndërprerë në një qendër votimi, pas raportimeve se një anëtar i komisionit zgjedhor kishte dëmtuar kutinë e votimit dhe kishte goditur një përfaqësues të studentëve.

Përballja kryesore në këto zgjedhje është mes listës së mbështetur nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe listës së mbështetur nga studentët, të cilët janë angazhuar në një lëvizje proteste kundër qeverisjes aktuale.

Raportimet paraprake i përshkruajnë zgjedhjet si një garë të ngushtë, ndërsa vëmendja mbetet te pjesëmarrja, incidentet e raportuara dhe rezultatet që do të dalin pas përfundimit të procesit të votimit.