Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi ashpër të hënën disa media në Perëndim, të cilat ai beson se kohët e fundit janë përpjekur të ndikojnë në opinionin publik me titujt e tyre për zgjedhjet turke. Në një intervistë për rrjetin televiziv TRT Haber, presidenti 69-vjeçar turk argumentoi se Perëndimi është i shqetësuar nga zhvillimi i industrisë turke të mbrojtjes.
“A ju pëlqen që Turqia të bëhet më e fuqishme në sektorin e industrisë së mbrojtjes? Natyrisht që nuk u pëlqen… Nuk u pëlqen sepse ne nuk blejmë më armë dhe municione prej tyre. Kombi iu përgjigj Perëndimit më 14 maj. Shpresoj se më 28 maj ata do ta bëjnë përsëri”, tha Erdogan.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, lideri turk siguroi 49.5% të votave, ndërsa Kemal Kılıçdaroğlu, një kandidat i aleancës së opozitës me gjashtë parti, mori 45%. Të hënën pasdite, kandidati i ekstremit të djathtë Sinan Oğan, i cili siguroi 5.2% në raundin e parë, u bëri thirrje mbështetësve të tij që të votojnë për Erdoganin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen të dielën e ardhshme, më 28 maj.