Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka deklaruar se vendi i tij synon të zgjerojë arsenalin bërthamor dhe të rrisë rrezen operative të kapaciteteve ushtarake, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të pranojnë realitetin e statusit bërthamor të Phenianit.
Në një mesazh të rrallë drejtuar Uashingtonit, ai tha se SHBA-ja dhe Koreja e Veriut mund të “shkojnë mirë me njëra-tjetrën”, por vetëm nëse Uashingtoni heq dorë nga kërkesa për denuklearizim. Komentet u bënë gjatë Kongresit të Nëntë të Partisë së Punëtorëve në kryeqytetin Phenian, ku Kim theksoi se e ardhmja e marrëdhënieve dypalëshe “varet vetëm nga qëndrimi i SHBA-së”. Ai deklaroi se Pheniani është i gatshëm si për “bashkëjetesë paqësore”, ashtu edhe për “konfrontim të përhershëm”, duke shtuar se zgjedhja nuk është në dorën e tij.
Kim kërkoi që SHBA-ja të “respektojë qëndrimin aktual bërthamor” të Koresë së Veriut, të sanksionuar në kushtetutë, dhe të tërheqë atë që e quajti “politikë armiqësore”. Sipas tij, nëse këto kushte plotësohen, “nuk ka arsye që të mos shkojmë mirë me SHBA-në”.
Ndërkohë, Kim mbajti një ton shumë më të ashpër ndaj Koreja e Jugut, duke e cilësuar atë si “entitetin më armiqësor” dhe duke paralajmëruar se do ta përjashtojë Seulin nga kategoria e bashkatdhetarëve. Ai shtoi se e vetmja mënyrë që Koreja e Jugut të jetojë në siguri është “të braktisë gjithçka që lidhet me ne dhe të na lërë të qetë”.
Gjatë fjalimit të tij, Kim theksoi se vendi do të fokusohet në “rritjen e numrit të armëve bërthamore” dhe në zgjerimin e mjeteve operative bërthamore. Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, Koreja e Veriut ka vazhduar testimet e raketave balistike ndërkontinentale.
Sipas vlerësimeve të Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI), Pheniani zotëron rreth 50 koka bërthamore të montuara dhe material të mjaftueshëm për të prodhuar deri në 40 të tjera. Kim ka qenë i prerë në refuzimin e denuklearizimit. Në një deklaratë të mëhershme para parlamentit, ai tha se “koncepti i denuklearizimit e ka humbur kuptimin”, duke theksuar se Koreja e Veriut tashmë është një shtet bërthamor.
