Një telefonatë e kryer nga një kabinë publike në Romë më shumë se katër dekada më parë është rikthyer në qendër të hetimeve për zhdukjen misterioze të Emanuela Orlandit. Në zhvillimet e fundit të çështjes është përfshirë edhe emri i Gabriella Boggianit, e njohur në atë periudhë me fotografin Marco Fassoni Accetti.

Boggiani mësohet se po hetohet nga Prokuroria e Romës në kuadër të një dosjeje që lidhet me çështjen Orlandi. Vetë ajo ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij zhvillimi dhe se e mësoi vetëm gjatë paraqitjes përpara Komisionit Parlamentar që po shqyrton zhdukjet e Emanuela Orlandit dhe Mirella Gregorit.

Dëshmia e saj është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa një nga elementet kryesore të shqyrtuara ka qenë një episod i vitit 1983.

Boggiani ka pranuar se në atë periudhë kishte realizuar një telefonatë ku përmendej Emanuela Orlandi. Sipas versionit të saj, iniciativa kishte ardhur nga Accetti, i cili i kishte kërkuar ta kryente telefonatën si një lloj “shakaje”.

Ajo ka treguar se ndodheshin në një kabinë telefonike në zonën Africano të Romës dhe se udhëzimi i Accettit kishte qenë që gjatë telefonatës të thoshte se dinin se ku ndodhej Emanuela.

Boggiani pretendon se në atë kohë nuk e dinte se kush ishte vajza e zhdukur dhe se nuk kishte dijeni për ndonjë plan apo veprimtari kriminale që mund të lidhej me rastin.

Gjatë dëshmisë ajo ka kundërshtuar gjithashtu pretendimin se mund të kishte lexuar një komunikatë në të cilën kërkohej lirimi i Ali Ağca-s në këmbim të Emanuela Orlandit. Ağca ndodhej në burg për atentatin ndaj Papa Gjon Palit II.

Sipas Boggianit, pjesëmarrja e saj ishte kufizuar vetëm te telefonata. Ajo ka këmbëngulur se nuk kishte lexuar ndonjë deklaratë apo komunikatë të tillë.

Një pjesë tjetër e marrjes në pyetje është përqendruar te marrëdhënia e saj me Marco Fassoni Accettin. Boggiani ka tentuar ta paraqesë njohjen mes tyre si të largët dhe të kufizuar në kohë, duke thënë se kontaktet i përkasin një periudhe më shumë se 40 vite më parë dhe se më pas nuk kishte ruajtur marrëdhënie me të.

Ajo e ka përshkruar Accettin si një person me sjellje të pazakonta dhe “ekstravagante”, duke u distancuar nga veprimet apo pretendimet që ai ka bërë ndër vite.

Sipas informacioneve që i atribuohen burimeve pranë Prokurorisë së Romës, pozicioni i Boggianit po shqyrtohet në një dosje të veçantë nga ajo që lidhet me Accettin. Në të mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë që bënin pjesë në rrethin e njohjeve të fotografit gjatë viteve ’80.

Zhvillimet e fundit rikthejnë kështu vëmendjen te kontaktet dhe telefonatat misterioze që pasuan zhdukjen e Emanuela Orlandit.

Vajza u pa për herë të fundit më 22 qershor 1983 në Romë. Që prej asaj dite, çështja e saj ka prodhuar hetime të shumta, dëshmi, pista dhe teori, por pa një përgjigje përfundimtare mbi atë që i ndodhi.

Më shumë se 43 vite më vonë, hetuesit italianë po rishqyrtojnë persona dhe episode të asaj periudhe, mes tyre edhe telefonatën që Gabriella Boggiani pranon se ka kryer. Mbetet detyrë e hetimit të përcaktojë nëse ky episod dhe personat që po verifikohen kanë pasur ndonjë lidhje me zhdukjen e Emanuela Orlandit.