Për shumë vite, vizitorët janë ngjitur në Mali Sinai me udhërrëfyes beduinë për të parë lindjen e diellit mbi peizazhin shkëmbor ose për të bërë ecje tradicionale të udhëhequra nga vendasit.
Sot, ky vend i shenjtë për hebrejtë, të krishterët dhe myslimanët, i njohur si Xhebel Musa, është bërë epiqendra e një debati të nxehtë lidhur me planet e autoriteteve egjiptiane për ta shndërruar në një mega-projekt turistik.
Shënjtëria e vendit
Sipas traditës, në malin Sinai Moisiu mori Dhjetë Urdhëresat, dhe aty ndodhi edhe episodi i famshëm biblik dhe kuranor i kaçubes që digjej. Në këmbët e malit ndodhet Manastiri i Shën Katerinës, i shekullit të 6-të, nën drejtimin e Kishës Ortodokse Greke. Ky manastir unik strehon gjithashtu një xhami të vogël të epokës Fatimide, duke simbolizuar bashkëjetesën ndërfetare ndër shekuj.
Zona është gjithashtu shtëpia e fisit Jebeleya, të njohur si “Rojet e Shën Katerinës”, një komunitet beduinësh që ka ruajtur traditat e tij për breza. Megjithatë, banorët thonë se po përballen me shpërngulje të dhunshme, shkatërrim të shtëpive dhe madje zhvarrosje të të afërmve të tyre për t’i hapur vend infrastrukturës së re, shpesh me pak ose aspak kompensim.
Reagime ndërkombëtare dhe tensione diplomatike
Greqia është vendi i parë që ka reaguar kundër projekteve egjiptiane, duke u angazhuar për mbrojtjen e manastirit. Tensionet midis Athinës dhe Kajros u thelluan pas vendimit të një gjykate egjiptiane në maj, e cila shpalli se manastiri i Shën Katerinës ndodhet në tokë shtetërore dhe ka vetëm “të drejtë përdorimi” mbi tokën ku ndodhet.
Kryepeshkopi Jeronymos II e denoncoi vendimin, duke e quajtur manastirin “një strehë paqeje midis të krishterëve dhe myslimanëve, një simbol shprese për një botë të mbërthyer nga konfliktet”.
Projekti i Madh i Shndërrimit
Qeveria egjiptiane nisi në vitin 2021 Projektin e Madh të Shndërrimit, të sponsorizuar nga shteti, me synimin për ta kthyer zonën në një destinacion turistik global. Plani përfshin:
- ndërtimin e hoteleve dhe eko-shtëpizave,
- ngritjen e një qendre të madhe vizitorësh,
- zgjerimin e aeroportit lokal,
- instalimin e një teleferiku drejt Malit të Moisiut.
Kajro e prezanton këtë nismë si “dhuratën e Egjiptit për botën dhe të gjitha fetë”, por kundërshtarët e shohin si një zhvillim të imponuar që rrezikon të shkatërrojë trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të rajonit.