Një zjarr i madh pyjor ka përfshirë provincën e Antalias, në jug të Turqisë, ku flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të erërave të forta.

Vatra e zjarrit shpërtheu në zonën e Kasit, ndërsa autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë nga ajri dhe toka për të vënë situatën nën kontroll.

Sipas mediave turke, në operacion janë angazhuar 6 helikopterë, 3 avionë zjarrfikës, 14 mjete zjarrfikëse, 5 automjete për furnizimin me ujë, 2 mjete të reagimit të shpejtë dhe 135 punonjës të shërbimit pyjor.

Megjithëse ndërhyrja vijon me intensitet të lartë, përpjekjet për izolimin e flakëve janë vështirësuar nga era e fortë, e cila po favorizon përhapjen e zjarrit.

Autoritetet turke mbeten në gatishmëri dhe operacioni për shuarjen e flakëve vazhdon.