Një zjarr masiv ka përfshirë bregdetin dalmat të Kroacisë, duke lënë pas një viktimë, dhjetëra të plagosur dhe qindra hektarë të shkrumbuar. Situata më kritike u regjistrua gjatë natës në zonën e Omišit, ku flakët iu afruan banesave dhe strukturave turistike.
Të paktën 40 persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa dhjetë prej tyre raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë. Gjatë kontrolleve në territorin e djegur, ekipet e emergjencës gjetën edhe trupin e pajetë të një burri. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes së tij.
Momente dramatike u regjistruan kur zjarri avancoi drejt vijës bregdetare. Rreth 200 persona, të rrethuar nga flakët dhe tymi, u detyruan të futeshin në det për t’i shpëtuar rrezikut. Ata u nxorën më pas nga zona gjatë operacioneve të shpëtimit.
Zjarri shkaktoi gjithashtu evakuimin e turistëve nga hotelet dhe akomodimet pranë zonave të rrezikuara. Një pjesë e tyre u dërguan përkohësisht në ambiente të sigurta në Omiš, ndërsa të tjerë u strehuan në kompleksin Gripe në Split.
Kryeministri Andrej Plenković e përshkroi situatën si një nga zjarret më serioze me të cilat Kroacia është përballur gjatë viteve të fundit. Ai tha se qeveria do të mbështesë banorët dhe bizneset e prekura, ndërsa do të sigurohet strehim alternativ për turistët që nuk mund të kthehen menjëherë në akomodimet e tyre.
Ministria e Turizmit dhe strukturat kombëtare të turizmit janë përfshirë gjithashtu në menaxhimin e situatës, veçanërisht për vizitorët që mbetën pa strehim.
Pas një operacioni të gjerë, zjarrfikësit arritën të vendosin nën kontroll vatrën pranë Lokva Rogoznica.
Bilanci mjedisor është i rëndë. Të dhënat paraprake tregojnë se rreth 900 hektarë territor janë përfshirë nga flakët.
Me stabilizimin e situatës, autoritetet kanë nisur evidentimin e dëmeve në banesa, biznese dhe mjedis. Prioritet mbetet rikthimi i sigurt i banorëve dhe turistëve në zonat e evakuuara, sapo të konfirmohet se rreziku ka kaluar.
