Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në zonën e Dunwich Heath, në lindje të Anglisë, vetëm pak kilometra larg centraleve bërthamore Sizewell B dhe Sizewell C. Megjithatë, autoritetet britanike kanë siguruar se flakët nuk paraqesin rrezik për impiantet bërthamore dhe nuk pritet të përhapen drejt tyre.
Zjarri, i cilësuar si një nga më të mëdhenjtë që ka goditur rajonin, po përhapet në një zonë me bimësi, ndërsa dhjetëra ekipe zjarrfikëse vijojnë operacionin për ta vënë nën kontroll.
Sipas autoriteteve, centrali bërthamor Sizewell B, në pronësi të kompanisë franceze EDF, vazhdon të funksionojë normalisht, ndërsa punimet për ndërtimin e centralit të ri Sizewell C nuk janë prekur nga flakët.
Shërbimi i Zjarrfikësve të Suffolk e ka cilësuar ngjarjen si një nga zjarret më të rënda të regjistruara në rajon. Si masë paraprake janë evakuuar komunitetet pranë zonës së prekur dhe janë mbyllur disa akse rrugore.
Autoritetet britanike theksojnë se situata monitorohet vazhdimisht dhe se nuk ka rrezik për sigurinë bërthamore apo për banorët. Edhe parashikimet meteorologjike tregojnë se drejtimi i erës nuk pritet t’i shtyjë flakët drejt centraleve.
