Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një ndërtesë shumëkatëshe në qytetin e Nju Jorkut në orët e para të mëngjesit të së shtunës, duke shkaktuar panik mes banorëve.

Sipas autoriteteve lokale, flakët kanë shpërthyer pak pas mesnatës në një pallat 17-katësh në zonën e Bronx-it dhe janë përhapur me shpejtësi në dy katet e fundit të ndërtesës, duke dëmtuar disa apartamente.

Departamenti i Zjarrfikësve të Nju Jorkut ka bërë me dije se situata është vlerësuar si “shumë serioze”, ndërsa në operacion janë angazhuar mbi 200 zjarrfikës për të vënë flakët nën kontroll. Ende nuk dihet shkaku i zjarrit dhe nuk ka konfirmim zyrtar për persona të lënduar.

Dëshmitarë okularë kanë deklaruar se disa banorë janë parë në dritare duke kërkuar ndihmë, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të fuqishme dhe tym të dendur që shihej nga larg.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa priten njoftime zyrtare lidhur me gjendjen e banorëve dhe shkallën e dëmeve materiale.