Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë qytetin Torrefeta në rajonin e Katalonjës, Spanjë, duke shkaktuar dy viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale. Viktimat u gjetën brenda perimetrit të flakëve në komunën Coscò, rreth 20 kilometra nga vatra fillestare e zjarrit.

Zjarri shpërtheu pasditen e së martës dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave ekstreme, duke djegur mbi 5,000 hektarë tokë bujqësore.

Për shkak të përhapjes së madhe të tymit, autoritetet urdhëruan izolimin e rreth 20,000 banorëve në nëntë komuna të prekura. Tymi ka mbuluar një distancë deri në 300 kilometra, duke krijuar një kolonë tymi me diametër 14 kilometra – një dukuri e paprecedentë në historinë e Katalonjës.

Gjatë natës, masat e izolimit u lehtësuan në shumicën e zonave të prekura, por autoritetet mbeten në gatishmëri, duke monitoruar situatën për çdo rrezik të mundshëm.

Ndërkohë, një vatër e dytë zjarri u regjistrua në Sanauja, brenda të njëjtit qark, duke përfshirë në flakë rreth 40 hektarë bimësi.

Sipas autoriteteve lokale, zjarri është aktualisht nën kontroll, por ekipet zjarrfikëse vazhdojnë të patrullojnë zonën për të parandaluar riaktivizimin, për shkak të valës së të nxehtit që vijon të godasë Spanjën.

Agjencia Meteorologjike Spanjolle (AEMET) raportoi se qershori i vitit 2025 është shpallur si muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në vend, me një temperaturë mesatare prej 23.6°C, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2017.