Kriza klimatike dhe degradimi i përshpejtuar i natyrës po shndërrohen në një kërcënim serioz për ekonominë globale dhe stabilitetin e sistemit financiar. Paralajmërimi vjen nga një prej drejtuesve të Bankës Qendrore Europiane, i cili thekson se ndikimi i këtyre fenomeneve tashmë po ndihet edhe në sektorin bankar.

Anëtari i bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Europiane, Frank Elderson, deklaroi se institucioni po intensifikon monitorimin e rreziqeve që lidhen me degradimin e ekosistemeve dhe humbjen e shërbimeve natyrore, të cilat mbështesin aktivitetin ekonomik dhe jetën e përditshme.

Sipas tij, ekonomia është shumë më e varur nga natyra sesa perceptohet zakonisht, ndërsa dëmtimi i vazhdueshëm i ekosistemeve mund të ndikojë në kreditimin, rritjen ekonomike, inflacionin dhe qëndrueshmërinë e bankave.

Deklaratat e Elderson vijnë në një periudhë kur Evropa po përjeton temperatura ekstreme dhe zjarre të mëdha pyjore, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në Francë dhe Spanjë. Përveç humbjeve njerëzore, fatkeqësitë kanë sjellë pasoja të rënda ekonomike, duke dëmtuar biznese, banesa dhe sipërfaqe të mëdha toke.

Ai theksoi se ngjarjet ekstreme të lidhura me ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin financiar.

Banka Qendrore Europiane ka nisur tashmë një program vlerësimi për të analizuar ndikimin që degradimi i natyrës mund të ketë mbi sistemin bankar të eurozonës. Brenda këtij viti pritet të publikohet një raport që do të shqyrtojë se si dëmtimi i ekosistemeve mund të rrisë humbjet nga kreditë për bankat.

Elderson kujtoi gjithashtu se ishte ndër themeluesit e Rrjetit për Gjelbërimin e Sistemit Financiar (NGFS), një iniciativë ndërkombëtare e krijuar për të ndihmuar bankat qendrore në përballimin e rreziqeve klimatike.

Megjithëse politikat klimatike në sektorin financiar kanë hasur kundërshtime në disa vende, veçanërisht gjatë administratës së Donald Trump në SHBA, Elderson u shpreh se bankat evropiane tashmë e konsiderojnë të pamundur injorimin e rreziqeve që lidhen me klimën dhe degradimin e natyrës.

Sipas tij, mbrojtja e natyrës nuk është më vetëm një çështje mjedisore, por një element thelbësor për funksionimin e ekonomisë dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.