Zjarre të mëdha pyjore kanë përfshirë disa rajone të Turqisë, ndërsa erërat e forta po vështirësojnë punën e ekipeve të emergjencës për shuarjen e flakëve, veçanërisht në zonat turistike të jugut të vendit.
Provinca e Muglës është ndër më të goditurat, ku autoritetet kanë angazhuar një operacion të gjerë me pesë avionë, 18 helikopterë, mbi 90 automjete zjarrfikëse dhe qindra efektivë. Ministria turke e Bujqësisë dhe Pylltarisë bëri të ditur se ekipet po punojnë pa ndërprerje për ta vënë zjarrin nën kontroll, ndërsa pamjet nga terreni tregojnë helikopterë që ndërhyjnë nga ajri mes reve të dendura të tymit.
Sipas mediave turke, autostrada që lidh Antalian me Fethiyen është mbyllur përkohësisht për shkak të dukshmërisë së kufizuar nga tymi. Gjithashtu, autoritetet kanë kufizuar hyrjen në zonën arkeologjike të Malit Olimp.
Zjarri, sipas autoriteteve lokale, nisi në një zonë rurale përpara se të përhapej në sipërfaqe pyjore. Për arsye sigurie janë evakuuar 202 persona, mes tyre edhe pacientë të një spitali pranë zonës së rrezikuar.
Një tjetër vatër e madhe zjarri është regjistruar edhe në rajonin pyjor të Balikesirit, në perëndim të Turqisë, përgjatë aksit rrugor që lidh Izmirin me Dardanelet.
Autoritetet turke vijojnë operacionet për izolimin e vatrave të zjarrit, ndërsa kushtet e pafavorshme atmosferike, të shoqëruara me erëra të forta, mbeten pengesa kryesore në përballjen me flakët.
