Zjarret që kanë përfshirë ishullin e Kretës vijojnë të jenë jashtë kontrollit për të tretën ditë radhazi, ndërsa autoritetet greke po përballen me një situatë tepër të vështirë për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.

Tre zjarrfikës humbën jetën gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve. Një nga frontet më të vështira mbetet ai në ishullin e Kretës, ku autoritetet po përballen me erëra të forta dhe temperatura të larta që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Situata më kritike paraqitet në jug të Rethymnos, ku qindra zjarrfikës po luftojnë për të frenuar flakët dhe për të mbrojtur zonat e banuara, si edhe pasuritë natyrore të ishullit. Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Komunikimit në Shërbimin Zjarrfikës të Greqisë, Vasilis Vathrakoyannis, gjatë një deklarate urgjente shprehu ngushëllimet për familjet e tre zjarrfikësve që humbën jetën, duke theksuar se efektivët po përballen me kushte tepër të rënda në disa fronte zjarri në të gjithë vendin.

Në zjarret në zonat Krya Vrysi dhe Asomatos të Rethymnos janë angazhuar 296 zjarrfikës, 15 ekipe të komandove pyjore dhe 66 mjete zjarrfikëse. Megjithatë, operacionet nga ajri janë kufizuar ndjeshëm, pasi erërat, që në disa raste kanë kaluar shpejtësinë 100 kilometra në orë, dhe tymi i dendur kanë krijuar kushte me dukshmëri pothuajse zero, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve ajrore.

Një prej zonave më të goditura është pylli i palmave në Preveli, një nga atraksionet natyrore më të njohura të Kretës. Flakët kanë shkrumbuar një pjesë të konsiderueshme të tij, ndërsa Manastiri i Shenjtë i Prevelit është shpëtuar falë ndërhyrjes së zjarrfikësve. Autoritetet theksojnë se dëmet në pyll janë të kufizuara në disa pjesë, por vlerësimi i plotë do të bëhet pasi zjarri të vihet nën kontroll.

Sipas të dhënave të publikuara nga Meteo.gr, bazuar në imazhet satelitore të Copernicus, vetëm gjatë së mërkurës dhe të enjtes në Rethymno janë djegur rreth 45 mijë stremë tokë, ndërsa kjo shifër nuk përfshin frontin e ri të zjarrit që shpërtheu më pas në zonën e Prevelit.

Bilanci i të lënduarve është gjithashtu i rëndë. Një 71-vjeçar nga Preveli është transportuar në një spital të Athinës me djegie në rreth 40% të trupit, ndërsa një zjarrfikës pësoi djegie të lehta gjatë operacionit në ishullin Andros.

Autoritetet greke kanë bërë të ditur se të gjitha forcat e mbrojtjes civile mbeten në gatishmëri të plotë dhe se në orët në vijim pritet përforcimi i ekipeve në të gjitha frontet aktive, ndërsa rreziku për zjarre mbetet shumë i lartë edhe në ditët në vijim.