Zjarret masive po përfshijnë me shpejtësi Evropën Jugore, duke detyruar mijëra banorë të evakuohen nga banesat e tyre, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për një sezon të hershëm dhe të rrezikshëm të zjarreve për shkak të temperaturave ekstreme dhe thatësirës së zgjatur.
Në Portugali, Spanjë, Francë dhe Greqi janë angazhuar qindra zjarrfikës për të vënë nën kontroll flakët, të cilat deri tani kanë shkatërruar mbi 19 mijë hektarë tokë. Sipas meteorologëve, situata mund të përkeqësohet më tej, pasi temperaturat në disa zona pritet të arrijnë deri në 40°C.
Një nga vatrat më të mëdha është regjistruar në jugperëndim të Francës, pranë qytetit të Perpignanit, ku rreth 700 zjarrfikës, të mbështetur edhe nga avionë specialë, po luftojnë me flakët. Mbi 10 mijë banorë janë evakuuar, ndërsa zjarri ka përfshirë rreth 4,600 hektarë tokë, i ndihmuar nga erërat e forta dhe ajri shumë i thatë.
Autoritetet franceze paralajmërojnë se sezoni i zjarreve do të jetë i gjatë dhe i vështirë. “Sezoni do të jetë i gjatë, duhet të na ndihmoni”, deklaroi koloneli i shërbimit të zjarrfikësve Eric Belgioino, duke u bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat e sigurisë.
Situata është e rënduar edhe në vende të tjera të rajonit. Në Greqi, zjarri ka përfshirë dy fabrika në Selanik, duke detyruar evakuimin e zonës dhe masa të rrepta për banorët për shkak të tymit të dendur.
Në Spanjë, një zjarr pranë Costa Brava ka djegur mbi 2,200 hektarë në vetëm dy ditë, ndërsa zjarrfikësit po përballen me kushte të vështira për shkak të nxehtësisë dhe vatrave të shumta aktive.
Zjarre janë raportuar gjithashtu në ishullin Hvar në Kroaci dhe në zonën e Talës në Shqipëri, ku janë dëmtuar qindra hektarë pyje dhe sipërfaqe bujqësore.
Ndërkohë, ekspertët e klimës theksojnë se vala e të nxehtit që ka goditur Evropën është një nga më ekstremet e regjistruara dhe lidhet ngushtë me ndryshimet klimatike, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në të gjithë kontinentin.
