Autoritetet në shtetin e Uashingtonit kanë arrestuar një 37-vjeçar të dyshuar se ka shkaktuar me dashje një nga zjarret më shkatërruese që ka përfshirë qytetin Spokane, duke detyruar mbi 60 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Sipas autoriteteve, Aaron Farinacci u vu në pranga nën dyshimin se ndezi zjarrin në zonën Old Trails. Ai u pa pranë vendit ku shpërthyen flakët dhe gjatë kontrollit iu gjetën një çakmak dhe shkrepëse. Ndaj tij rëndon akuza për zjarrvënie të qëllimshme të shkallës së parë, ndërsa mbahet në paraburgim me një garanci prej 1 milion dollarësh. Sherifi i Qarkut Spokane, John Nowels, bëri të ditur se 37-vjeçari ka edhe një precedent penal për vrasje të paqëllimshme.
Që prej fundjavës, tre vatra të mëdha zjarri – Old Trails, Fairview dhe Autumn Lane – kanë përfshirë zonat pranë qytetit të dytë më të madh të shtetit të Uashingtonit. Flakët kanë shkatërruar mbi 700 ndërtesa, ndërsa rreth 400 të tjera presin ende të inspektohen. Mijëra hektarë tokë janë djegur, ndërsa qindra zjarrfikës vijojnë betejën për izolimin e zjarreve.
Guvernatori i Uashingtonit, Bob Ferguson, e cilësoi situatën si një “makth”, duke deklaruar se mund të jetë katastrofa më e rëndë natyrore në historinë e Spokane. Edhe kryebashkiakja Lisa Brown paralajmëroi se rreziku mbetet i lartë dhe se është ende herët për të përcaktuar se kur banorët do të mund të rikthehen në banesat e tyre.
Deri tani nuk është raportuar për viktima apo të plagosur, megjithatë autoritetet po përpiqen të kontaktojnë 14 persona me të cilët kanë humbur komunikimin. Dyshohet se ata mund të jenë evakuuar, por nuk kanë mundur të komunikojnë për shkak të mungesës së sinjalit ose baterive të shkarkuara.
Në të gjithë shtetin e Uashingtonit mbeten aktive 16 vatra zjarri, ndërsa mbi 900 zjarrfikës janë angazhuar në terren, me përforcime që priten edhe nga shtete të tjera. Ndërkohë, guvernatori ka ndaluar ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura në të gjithë shtetin, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se temperaturat e larta dhe erërat e forta mund ta përkeqësojnë më tej situatën.
Ekspertët e klimës theksojnë se ndryshimet klimatike të lidhura me aktivitetin njerëzor po krijojnë kushte gjithnjë e më të favorshme për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve të përmasave të mëdha.
