Punimet në varrin masiv, më të madhin të dyshuar në Kosovë për shume vite, u pezulluan të hënën pas rënies së zjarrit.
Fatmir Aliu BIRN Prishtinë
Zhvarrosjet në një varr masiv në Zhilivodë, u ndërprenë të hënën pasi një zjarr nisi në vendngjarje, thotë Misioni i BE-së për Zbatimin e Rendit të Ligjit në Kosovë, EULEX.
Zëdhënësi vendor i EULEX-it, Blerim Krasniqi, tha për BIRN-in se zjarri filloi të shtunën dhe se shkaku ende nuk dihet.
“Zjarri ende duhet të kontrollohet. Policia ka izoluar vendngjarjen dhe po kërkojnë se çfarë mund ta ketë shkaktuar”, tha ai.
Krasniqi shtoi se zjarrfikësit shkuan në vendin e zhvarrosjes dy ditë pasi zjarri filloi. Është e paqartë se cilat ishin arsyet për këtë vonesë.
Zhvarrosjet në Zhilivodë, fshat i vogël në komunën e Vushtrrisë, filluan më 31 gusht 2010.
Që atëherë, puna është ndërprerë dy herë për shkak të kushteve të motit. Zona është një nga lokacionet më të mëdha për zhvarrosjet, e zbuluar në Kosovë në vitet e fundit.
Për shkak të madhësisë së zonës, Departamenti i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it mbështetet me logjistikë nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, FSK, që po përdorin makineritë e rënda për të arritur 30 metra nën tokë, ku dyshohet se gjendet varri masiv.
Nuk ka shifra zyrtare në lidhje me numrin e trupave në varrin masiv, por një delegacion i Beogradit tha së fundi se dyshon se eshtrat e më shumë se 20 serbëve të Kosovës mund të gjenden aty.
Në dy javët e fundit, ekipi forensik i EULEX-it dhe i Kosovës kanë dorëzuar eshtrat e nëntë serbëve të Kosovës, që kanë munguar që nga lufta e vitit 1999 në ish-provincën serbe.
Disa nga viktimat e luftës të gjetura u varrosën në Prizren dhe Viti, ndërsa familjet e tjera i morën trupat e familjarëve në Serbi për varrim.
Ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX-it planifikojnë të vlerësojnë më shumë se 30 vende të dyshuara varesh masive këtë vit, si pjesë e kërkimit të tyre të vazhdueshëm për persona të zhdukur nga lufta në Kosovë dhe pasojat e saj. Plani është që të bëhen vlerësime të vendit dhe zhvarrosje në Gjakovë, Pejë, Klinë, Prizren, Mitrovicë, Skenderaj dhe Podujevë.
Trembëdhjetë vjet pas fundit të luftës në Kosovë, 1,400, dhe 6,019 persona që u raportuan të zhdukur tek Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nga familjet e tyre ende nuk janë gjetur. Shumica e të zhdukurve janë shqiptarë të Kosovës.
Marrë nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan