Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur një proces gjyqësor, që sipas ekspertëve, mund të ketë ndikim të gjerë në industrinë e teknologjisë.

Një 20-vjeçare ka paditur platformat online, të cilat i akuzon se i kanë projektuar shërbimet e tyre në mënyrë të qëllimshme për të krijuar varësi tek përdoruesit.

Në bankën e dëshmitarëve është ulur edhe vetë kreu i Meta-s, Mark Zuckerberg, i cili i doli në mbrojtje praktikave të kompanisë së tij. Themeluesi i Facebook insistoi se kompania nuk vendos më objektiva për kohën që përdoruesit kalojnë në aplikacionet e saj. Por sipas raportimeve nga salla e gjyqit, ai e pranoi gjithashtu se në të kaluarën ka pasur mangësi në verifikimin e moshës së përdoruesve.

Në mea culpa-n e tij pohohej se kompania ka qenë e ngadaltë në identifikimin e përdoruesve të mitur dhe se disa fëmijë nën moshën 13 vjeç kanë arritur të hapin llogari në platforma si Instagram, ndonëse kjo bie ndesh me kushtet e përdorimit. Sipas tij, llogaritë e tilla hiqen sapo zbulohen. Në padi, 20-vjeçarja pretendon se platformat janë ndërtuar me mekanizma që nxisin përdorimin e vazhdueshëm, si funksioni i “scroll”-it të pafund, që i lejon përdoruesit të kalojnë pa ndërprerje nga një postim në tjetrin. Ajo thotë se ka nisur t’i përdorë këto rrjete që në fëmijëri dhe i lidh problemet e saj me depresionin dhe ankthin me përdorimin e tyre afatgjatë.

Padia është ngritur kundër YouTube dhe Instagramit. Gjyqi konsiderohet se mund të krijojë një precedent të rëndësishëm mbi përgjegjësinë ligjore të kompanive të teknologjisë mbi ndikimin e produkteve të tyre në shëndetin mendor të përdoruesve.

Top Channel