Pas lajmit se një zyrtar i lartë amerikan do të vizitojë Tajvanin, Kina nisi menjëherë një stërvitje ushtarake në afërsi të ishullit me qëllimin, siç tha, të mbrojë sovranitetin e saj.


Manovrat që do të kryhen me zjarr të vërtetë zhvillohen në mesin e një rritjeje të tensioneve mes Pekinit dhe Washingtonit. Pikërisht në një kohë të tillë, SHBA-ja lëviz për të treguar mbështetjen e saj ndaj Tajvanit të vetë-administruar, të cilin Kina vazhdon ta konsiderojë pjesë të saj. 


Keith Krach është zyrtari më I lartë I Departamentit të Shtetit që e viziton ishullin prej dekadash të tëra. Zëdhënësi i ministrisë kineze të mbrojtjes, Ren Guoqiang i akuzoi si Amerikën ashtu dhe Tajvanin se po “përshpejtojnë rrezikun e përplasjes”, ndonëse nuk iu referua qartë vizitës që ka shqetësuar Pekinin.


Ai i tha reporterëve se “ të përdorësh Tajvanin për të kontrolluar Kinën”, ose të “mbështetesh tek të huajt për t`u ngritur si vend”, nuk është shumë e zgjuar.  Krach,  nënsekretari amerikan i çështjeve ekonomike ka në plan të takohet me presidentin tajvaneze, Tsai Ing-ëen. Edhe pse Shtetet e Bashkuara  nuk kanë një marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, Akti i Marrëdhënieve me të i vitit 1979, I lejon të shesin armë në ishull dhe i angazhon për “marrëdhënie të ngushta”.