Një zyrtar i lartë në administratën e Presidentit amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ai është “personi më luftarak në nivelet më të larta” të qeverisë, ndërsa retorika ndaj Iranit vijon të përshkallëzohet.
Sipas një raportimi të Axios, të bazuar në intervista me disa zyrtarë dhe burime me njohuri direkte mbi diplomacinë në zhvillim, Trump ka paralajmëruar se “një civilizim do të vdesë sonte” nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit.
“Nëse presidenti sheh që një marrëveshje po merr formë, ai ndoshta do të tërhiqet. Por vetëm ai, dhe vetëm ai, e merr atë vendim”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës.
Një tjetër burim e ka përshkruar Trump si “më gjakatari”, duke theksuar se figura të tjera kyçe si Marco Rubio apo Pete Hegseth duken “si pëllumba” në krahasim me të.
Ndërkohë, gazetari dhe komentatori konservator Tucker Carlson ka bërë thirrje që establishment-i amerikan të kundërshtojë çdo urdhër të mundshëm për sulme ndaj civilëve iranianë.
“Tani është momenti për të thënë jo, absolutisht jo”, është shprehur Carlson, duke shtuar se zyrtarët duhet t’i rezistojnë çdo vendimi të tillë nga Presidenti.
Trump i është përgjigjur deklaratave të tij në një intervistë për New York Post, duke e cilësuar Carlson “një person me IQ të ulët që nuk ka asnjë ide se çfarë po ndodh”.
Këto zhvillime vijnë në një moment kritik për marrëdhëniet SHBA–Iran, teksa rritet presioni për një marrëveshje dhe paralelisht shtohen shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit.
