Qytetarët e Maqedonisë së Veriut votuan këtë të dielë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunalë në 80 komuna, si dhe në qytetin e Shkupit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 81 njësi vendore. Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe përfundoi në 19:00, me numërimin që nisi menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), deri në orën 18:30, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 46.65%, një përqindje që konsiderohet mesatare krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Ndërkohë, rezultatet e para jozyrtare tregojnë një avantazh të koalicionit shqiptar VLEN, i cili pretendon fitore që në raundin e parë në disa komuna me shumicë shqiptare.

Përmes një deklarate për mediat, VLEN bëri të ditur se ka pritshmëri për fitore në Çair, Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë. Në disa prej këtyre komunave, përfaqësues të koalicionit kanë nisur festimet pas mbylljes së votimit.