Akrepi njihet prej kohësh si një nga shenjat më misterioze të horoskopit, dhe astrologët theksojnë se kjo natyrë enigmatike nuk është aspak e rastësishme. Muri mbrojtës që ai ndërton rreth vetes, sipas tyre, lidhet ngushtë me botën e pasur emocionale që Akrepi ruan me fanatizëm. Edhe pse përjeton ndjenja të thella, ai rrallë i shpreh hapur, nga frika se mund të lëndohet, të tradhtohet ose të zbulojë më shumë sesa dëshiron.

Ekspertët shpjegojnë se kur dikush përpiqet ta detyrojë një Akrep të flasë, reagimi i parë është heshtja. Ai mbyllet menjëherë, duke ngritur një mur të padepërtueshëm. Ndryshe nga shenjat e tjera që shprehen impulsivisht, Akrepi vëzhgon me kujdes, analizon situatën dhe ruan çdo detaj për ta përdorur më vonë në avantazhin e tij. Fshehtësia për të nuk është mungesë besimi ndaj personit përballë, por një mekanizëm i natyrshëm vetëmbrojtës.

Astrologët ia atribuojnë këtë sjellje ndikimit të Plutonit, planetit të transformimit, forcës së brendshme dhe sekreteve. Nën energjinë e Plutonit, Akrepi nuk flet kurrë më shumë sesa duhet dhe zbulon vetëm atë që ai vetë e sheh të arsyeshme. Ai peshon me kujdes çdo fjalë dhe nuk hapet kurrë nga presioni, por vetëm nga zgjedhja personale.

Kjo aftësi për të kontrolluar emocionet, për të ruajtur veten dhe për të mbajtur distancë kur është e nevojshme, është pikërisht ajo që e bën Akrepin të fuqishëm dhe të pazakontë. Në botën astrologjike, ai konsiderohet si mjeshtër i sekreteve dhe i forcës së brendshme që nuk zhvishet lehtë.