A ndikon data e lindjes në mënyrën se si jemi si njerëz? Edhe pse mund të tingëllojë si astrologji, shkenca ka diçka për të thënë në këtë drejtim.

Një studim i Universitetit “Semmelweis” në Hungari, i udhëhequr nga profesoresha e psikologjisë Xenia Gonda, ka zbuluar një lidhje të qartë midis stinës së lindjes dhe tipareve të personalitetit.

Sipas këtij studimi, i publikuar në “European College of Neuropsychopharmacology”, njerëzit e lindur në periudha të ndryshme të vitit mund të kenë predispozita të ndryshme emocionale, të ndikuara nga ndryshimet sezonale në dritë, temperaturë dhe nivelet e neurotransmetuesve si serotonina dhe dopamina.

“Stina e lindjes mund të ndikojë në zhvillimin e trurit dhe në mënyrën si funksionon sistemi ynë i humorit”, shpjegon Gonda.

Këto efekte mund të ndihen edhe në moshë të rritur.

Në bazë të të dhënave të mbledhura nga 366 studentë, studiuesit identifikuan disa tipare karakteristike për secilën stinë:

Pranvera

Personat e lindur në pranverë kanë temperament më të gëzuar, energjik dhe optimist. Quhen shpesh “bebet e diellit”, pasi ekspozimi i hershëm ndaj dritës ndikon në nivele më të larta të serotoninës – hormonit të lumturisë. Megjithatë, këta individë janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve sezonale të humorit dhe mund të përjetojnë rënie energjie gjatë dimrit.

Vera

Të lindurit në verë kanë temperament ciklotimik – pra, përjetojnë ndryshime më të shpeshta humori, por në përgjithësi janë pozitivë dhe energjikë. Një studim i revistës “PLOS ONE” tregoi se ata që lindin në gusht kanë më pak gjasa të zhvillojnë çrregullime të humorit si depresioni apo bipolariteti. “Bebet e verës” priren të jenë njerëz entuziastë dhe shumë aktivë.

Vjeshta

Njerëzit e lindur në vjeshtë janë më të qetë, të ekuilibruar dhe emocionalisht inteligjentë. Studime të tjera kanë treguar se ata kanë aftësi më të mira analitike dhe prirje më të forta akademike. Revista “Mother & Child” ka publikuar gjithashtu gjetje interesante: gratë e lindura në vjeshtë mund të kenë një mbrojtje natyrale ndaj disa llojeve të kancerit, si ai i gjirit dhe mitrës, për shkak të niveleve hormonale të nënave gjatë verës.

Dimri

Ata që kanë lindur në dimër priren të jenë më të qetë dhe të përmbajtur. Sipas studiuesve hungarezë, “bebet e dimrit” kanë një temperament më të qëndrueshëm emocionalisht dhe reagojnë më pak ndaj stresit.

Ndërkohë, mungesa e dritës natyrore gjatë shtatzënisë mund të ndikojë në ritmet e melatoninës, duke i bërë më të prirur për gjumë të mirë dhe imagjinatë të zhvilluar. Pikërisht kjo është arsyeja pse shumë persona të lindur në dimër kanë prirje krijuese.

Studimet tregojnë se nuk janë yjet, por dielli dhe drita që ndikojnë në formimin tonë. Edhe pse stina e lindjes nuk përcakton fatin, ajo mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si mjedisi në fillimet e jetës ndikon në humorin dhe personalitetin e njeriut.

Shkenca e ka thënë qartë, dita kur ke lindur mund të mos tregojë çfarë do të bëhesh, por me shumë gjasa tregon pse je ashtu si je.