Shenjat e zjarrit: Dashi, Luani dhe Shigjetari e përjetojnë konfliktin si një stuhi vere: shpërthyes dhe intensiv, por rrallëherë mbajnë inat afatgjatë.

Dashi reagon në mënyrë instiktive, duke dashur ta pastrojë situatën menjëherë dhe me zë të lartë.

Luani përqendrohet te krenaria e lënduar dhe kërkon respekt.

Shigjetari e ngre zërin për ide e jo për njerëz, edhe pse mund të lëndojë duke u treguar i drejtpërdrejt. Debatet me të janë dramatike, por shpesh kalojnë shpejt nëse gjejnë një mënyrë për t’u shfryrë.

Shenjat e tokës: Demi, Virgjëresha dhe Bricjapi debatojnë vetëm kur e kanë arritur kufirin e durimit.

Demi duron gjatë para se të bëhet kokëfortë; nuk harron lehtë dhe i mbron kufijtë e tij sikur të mbronte territorin e vet.

Virgjëresha i zgjedh fjalët me saktësi kirurgjikale, por në momentet më të këqija, kalon në kritika të imtësishme.

Bricjapi preferon faktet para zërit të lartë: tërhiqet, distancohet dhe ndëshkon me një ftohtësi të kontrolluar, duke e konsideruar ngritjen e zërit si humbje të dinjitetit.

Shenjat e ajrit: Binjakët, Peshorja dhe Ujori i kthejnë debatet në diskutime intelektuale.

Binjakët mund ta ndryshojnë qëndrimin tri herë në një mbrëmje të vetme, pasi janë më të interesuar për një shkëmbim brilant idesh se për qëndrueshmëri.

Peshorja e urren idenë e konfliktit; priret t’i zbusë gjërat, të ndërmjetësojë dhe t’i shtyjë zgjidhjet derisa pala tjetër më në fund të shpërthejë.

Ujori debaton mbi baza parimore dhe përfshihet emocionalisht kur bëhet fjalë për lirinë apo drejtësinë, duke humbur ndonjëherë nga sytë, emocionet e personit që ka përballë.

Shenjat e ujit: Gaforrja, Akrepi dhe Peshqit e përjetojnë konfliktin si një valë të brendshme.

Gaforrja lëndohet lehtë dhe reagon duke u tërhequr, ndoshta duke lëshuar një koment pasiv-agresiv që thotë shumë më tepër sesa mund të thoshte ndonjëherë një britmë.

Akrepi nuk debaton lehtësisht; nëse hyn në një betejë, e bën me intensitet të plotë, duke rikujtuar gabimet e së shkuarës dhe goditur pikërisht aty ku dhemb më shumë.

Peshqit i përthithin emocionet e tjetrit – duke u hutuar dhe përlotur – por më pas mund të zhduken për të mbrojtur veten, duke lënë përshtypjen e një debati që nuk u zgjidh kurrë vërtet.