Meteorologia e njohur, Lajda Porja, ka zbuluar në “Wake Up” se kur do të nisin reshjet e dëborës. Sipas saj, të shtunën gjatë natës dhe ditën e diel do të ketë borë.

Porja tha gjithashtu se dhjetori do të jetë i bardhë, pasi ky dimër do të jetë pak më i ftohtë se viti i kaluar.

Gjithashtu meteorologia shtoi se në Tiranë nuk do të ketë reshje dëbore, por vetëm në Dajt mund të kemi mundësinë që t’a shijojmë.

“Aktualisht është një masë e ftohtë polare, e cila është zhvendosur në Europën Qendrore dhe Gjermania, Franca, Zvicra, Austria, janë me temperatura të ulëta.

Zonat malore, kryesisht është veriu dhe verilindja, më pak reshje do të ketë juglindja. Do të ketë dëborë të shtunën gjatë natës dhe ditën e diel. Ditën e diel ka reshje të pakta dhe pjesa më e madhe e tyre në dëborë. Nuk është se presim dëborë në Ultësirën Perëndimore apo në Tiranë. Se gjithmonë është kjo pyetja ‘a do kemi borë në Tiranë?’, jo. Tirana në përgjithësi shënon temperatura të larta.

Dëborën në Dajt e kemi parë herë pas here. Edhe këtë vit duke qenë se është parashikuar që ky dimër të jetë pak më i ftohtë se viti i kaluar, patjetër që mund të kemi mundësinë për të shijuar dëborën në Dajt. Le të shpresojmë që të kemi Krishtlindje të bardha, të paktën në zonat ku zakonisht bie”, tha Lajda.