Shqipëria do të ndikohet këtë të martë nga kushte atmosferike të qëndrueshme, duke sjellë mot të kthjellët në të gjithë territorin. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, dita do të karakterizohet nga temperatura të larta, që në disa qytete do të arrijnë deri në 37°C.
Temperaturat minimale do të luhaten nga 16°C në Korçë dhe Bulqizë, deri në 22°C në Lezhë, ndërsa maksimalet do të variojnë nga 31°C në Korçë deri në 37°C në Elbasan, Berat dhe Gjirokastër.
Në Tiranë pritet që termometri të shënojë nga 20°C në mëngjes deri në 36°C gjatë mesditës. Në Durrës dhe Shkodër temperaturat maksimale do të arrijnë 35°C, në Fier 36°C, ndërsa në Vlorë dhe Sarandë përkatësisht 34°C dhe 35°C.
Era do të fryjë me drejtim kryesor veriperëndim – verilindje, me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s. Herë pas here, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, era pritet të fitojë intensitet, duke arritur shpejtësi deri në 18 m/s.
Sa i përket detit, valëzimi në Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 2 deri në 4 ballë.


