Fundjava që kaloi ishte e gjatë, me 4 ditë pushim, por jo për bizneset. Biznesi në shumicën e rasteve nuk e ka luksin që të rrijë kaq gjatë pa punë. Ndërkaq duket se edhe pse ka pushim, shteti punon online dhe nuk humbet rastin për të vjelë gjoba.

Këtë fundjavë të gjatë, bizneset po ankohen se po marrin gjoba për deklarim të vonuar, ndonëse afati shtyhet automatikisht për shkak se e premtja dhe e hena ishin pushim.

Sipas ligjit të procedurave tatimore, nëse afati i deklarimit ose pagesës së taksave bie në një ditë pushimi zyrtar (ose fundjavë), afati shtyhet automatikisht në ditën e parë pasardhëse të punës.

Sipas Monitor kjo do të thotë se nëse afati është të shtunën apo të dielën, kalon të hënën. Nëse edhe e hëna është pushim për shkak të festës zyrtare që binte e diel. afati kalon në ditën tjetër të punës. Nuk ka penalitete nëse veprimi kryhet në atë ditë të parë pune. Ky është një parim i përgjithshëm procedural (zbatohet edhe në ligje të tjera administrative), që garanton që tatimpaguesit të mos penalizohen për ditë kur administrata nuk funksionon.

Megjithatë, bizneset ankohen se afati i deklarimit të sigurimeve për shkurtin ishte data 20 mars, që ishte pushim. Edhe e hëna ishte pushim, kështu që afati shtyhet në datën 24, jo vetëm për dorëzimin, por edhe pagesën. Por subjektet raportojnë se atyre u janë shfaqur në sistem kamatëvonesat. 

Mesa duket dhe vetë sistemi është “çakorduar” nga ditët e shumta të pushimit që ka pasur administrata. Kjo nuk është thjesht një “defekt teknik”. Është një problem serioz që tregon mungesë përgjegjshmërie dhe standard të dyfishtë. Kur shteti gabon, quhet sistem; kur biznesi vonohet, quhet shkelje dhe dënohet.

Nuk mund të kërkosh korrektësi nga bizneset, ndërkohë që vetë administrata nuk garanton zbatimin korrekt të ligjit në sistemet e saj.
Këto gjoba mund të fshihen më vonë. Por pse duhet të ndodhë kjo histori çdo herë? Pse duhet që bizneset të humbasin kohë, energji dhe qetësi për të korrigjuar gabimet e një sistemi që duhet të ishte në shërbim të tyre? 

Tatimet duhet të jenë partnere të biznesit, jo burim pasigurie dhe penalitetesh të padrejta.