Përdoruesit e WhatsApp duhet të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve, kodeve dhe kërkesave të pazakonta që marrin në telefon. Paralajmërimi vjen nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, pas rasteve të raportuara në rajon për marrjen nën kontroll të llogarive të aplikacionit.
Sipas AKSK-së, në disa raste përdoruesit kanë humbur plotësisht aksesin në profilet e tyre, ndërsa po hetohet mënyra se si është realizuar komprometimi.
Një nga rregullat kryesore është që kodi i verifikimit të WhatsApp të mos i dërgohet askujt. Nëse në telefon mbërrin papritur një kod apo kërkesë për regjistrimin e llogarisë në një pajisje tjetër, përdoruesi nuk duhet ta konfirmojë atë.
AKSK rekomandon gjithashtu aktivizimin e verifikimit me dy hapa, i cili mund të gjendet te Settings → Account → Two-step verification.
Një tjetër kontroll i rëndësishëm është seksioni “Linked Devices”. Përdoruesit duhet të verifikojnë pajisjet që kanë akses në WhatsApp-in e tyre dhe të shkëputin menjëherë çdo telefon apo kompjuter që nuk e njohin.
Kujdes kërkohet edhe me lidhjet që mbërrijnë përmes WhatsApp, SMS-ve apo email-it. Veçanërisht të dyshimta duhet të konsiderohen mesazhet që kërkojnë hapjen e një linku për të “verifikuar” ose “rikthyer” llogarinë.
Autoriteti këshillon që edhe email-i i lidhur me WhatsApp të mbrohet me një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë.
Në rast se llogaria merret nën kontroll dhe përdoruesi humbet aksesin, AKSK rekomandon që rikuperimi të bëhet vetëm përmes procedurave dhe kanaleve zyrtare të WhatsApp.
Autoriteti thekson se kodet e verifikimit janë personale dhe nuk duhet të ndahen as kur kërkesa duket sikur vjen nga një mik apo person i njohur, pa verifikuar më parë identitetin e tij.
