Shqipëria nuk ka rrezik nga virusi “Andes”, që ka alarmuar mbarë botën. Ky lloj hantavirusi, që qarkullon në Argjentinë dhe në disa vende të Amerikës Latine, nuk është i pranishëm në Ballkan dhe as në Europë. Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, përmes një sqarimi në profilin e saj, bën të ditur se edhe brejtësit që strehojnë virusin e rrezikshëm “Andes” nuk ndodhen në rajonin e Europës.
Po ashtu, përmes një deklarate zyrtare për mediat, Instituti i Shëndetit Publik deklaron se Shqipëria, ashtu si edhe vendet e tjera të Europës, kanë rrezik shumë të ulët nga virusi “Andes”, i cili transmetohet nga njeriu te njeriu. Epidemiologu Artan Simaku thotë se nuk ka vend për panik dhe as për kufizime udhëtimesh. Nga ana tjetër, ekspertët e shëndetit publik bëjnë të ditur se nuk ka asnjë qytetar shqiptar në listat e kroçerave ku ka shpërthyer virusi “Andes” apo në kontaktet gjatë fluturimeve të ndryshme. Ata sqarojnë se për llojet e hantaviruseve që qarkullojnë në vendin tonë dhe në Europë, nuk ka transmetim nga njeriu te njeriu.
Burime nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se ekspertët kanë nisur takime me autoritetet portuale të vendit për t’i informuar stafet lidhur me masat, protokollet e veshjes dhe vigjilencën ndaj çdo shenje të dyshuar te pasagjerët në anije e kroçera. Po ashtu, ekspertët deklarojnë se qytetarët shqiptarë që kanë planifikuar udhëtime në Argjentinë, Kubë, Kili apo vende të tjera të Amerikës Latine duhet të marrin pranë ISHP hartën e rrezikut nga virusi “Andes” dhe të jenë në kontakt të vazhdueshëm me Institutin e Shëndetit Publik për çdo shqetësim shëndetësor apo shenjë të mundshme.
Ndërkohë, ISHP, në bashkëpunim me Bankën e Gjakut, ka nisur studimin e seroprevalencës për hantaviruset tek të gjithë dhuruesit e gjakut. Kjo do të tregojë nivelin e antitrupave ndaj hantaviruseve që qarkullojnë në rajonin tonë dhe sa persona e kanë kaluar infeksionin pa shenja.
