Të gjithë qytetarët që disponojnë banesa pa dokumente pronësie, do të kontaktohen fizikisht me qëllim që t’i jepet zgjidhje kësaj problematike të krijuar ndër vite.
Specialistët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës kanë nisur në terren verifikimin “derë më derë” të banesave pa dokumentacion, duke nisur nga Palasa dhe më tej duke vijuar në të gjithë Shqipërinë.
Procesi është organizuar në një qasje të re, përmes verifikimit në terren, pavarësisht nëse qytetarët kanë aplikuar apo jo në Kadastër për të marrë certifikatën e pronësisë.
Procesi do të nisë fillimisht me fshatrat e Shqipërisë, ku problematikat janë më të mëdha dhe më pas do të vijohet edhe me qytetet.
Punonjësit e Kadastrës do të bëjnë matjet, do të saktësojnë dokumentacionin dhe për çdo rast që plotësohen kriteret ligjore, do të dilet me një vendimin i cili do t’u dërgohet qytetarëve direkt ne e-Albania.
Kadastra thekson se do të komunikohet me banorët përmes një procesi transparent dhe ata do të qartësohen për fazën në të cilën ndodhet dosja e tyre dhe pas përfundimit të punës në çdo zonë, do të publikohet statusi i të gjitha banesave të trajtuara.
Statusi do të tregojë se kush është pajisur me vendim, kush duhet të plotësojë dosjen me një dokument që Kadastra nuk mund ta sigurojë vetë, siç është për shembull dëshmia e trashëgimisë si dhe rastet kur ekipet nuk kanë mundur të aksesojnë banesën. Pra çdo qytetar do ta dijë qartë se ku është çështja e tij dhe çfarë duhet të bëjë më tej.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës u kërkon banorëve bashkëpunim me specialistët e pronave dhe të sigurohen që të jenë në banesë në mënyrë që t’i japin zgjidhje një çështjeje problematike siç është ajo me pronat.
Zgjidhja e këtij ngërçi do t’u japë qytetarëve të drejta të plota ligjore mbi pronat e tyre, mundësinë për investime, shitje, etj.
