Ekonomia shqiptare është duke u fuqizuar, por me ritmin aktual mund të duhet gati një gjeneratë që Shqipëria të arrijë gjysmën e të ardhurave mesatare të vendeve të Bashkimit Europian. Kjo është gjetja kryesore e bërë publike nga Raporti i Bankës Botërore për ekonominë shqiptare, ndonëse e shprehur në mënyrë më të moderuar gjatë prezantimit.

“Shqipëria ka bërë një progres mbresëlënës për sa i përket tregut dhe stabilitetit ekonomik, uljes së varfërisë dhe reformave që e afrojnë me standardet e BE-së. Gjithsesi, duhet një konvergjencë më e madhe për të përshpejtuar aspiratat e shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Europian”, shprehet Massimiliano Paolucci, menaxher i grupit të BB në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Ministri i Financave Petrit Malaj mbështeti rekomandimet e Bankës Botërore dhe theksoi se vendi ende nuk e ka arritur potencialin e plotë ekonomik, pavarësisht zhvillimeve pozitive të viteve të fundit.

“Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar. Gjatë viteve të fundit kemi treguar qëndrueshmëri dhe kemi ruajtur stabilitetin makroekonomik përballë goditjeve nga jashtë. Megjithatë, e dimë që arritja e objektivave tona afatgjata kërkon përpjekje të reja. Sfida jonë nuk është vetëm rritja ekonomike, por edhe krijimi i mundësive të reja, veçanërisht për të rinjtë”, deklaroi ministri.

Ndër të tjera, gjatë prezantimit u vu theksi edhe tek ndarja e buxhetit për mbrojtjen sociale. Për shkak të plakjes së popullsisë, rrezikohet që skema aktuale e pensioneve të bëhet gjithnjë e më pak e qëndrueshme. Prandaj, Banka Botërore rekomandon ndryshime të mëtejshme, përfshirë edhe zgjatjen e moshës së daljes në pension.

“Deri në vitin 2060, pritet që 34% e shqiptarëve të jenë mbi moshën e pensionit, duke e vënë skemën nën presion. Nevojiten reforma për të zgjeruar bazën e kontribuesve, për të nxitur jetëgjatësinë në punë dhe për ta mbajtur skemën e pensioneve të qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, shprehet Angella Montfaucon, ekonomiste e Bankës Botërore për Shqipërinë

Për të garantuar një rritje afatgjatë, raporti thekson se duhet investuar më shumë tek të rinjtë, pasi shpenzimet për edukimin e hershëm përbëjnë vetëm 0.08% të PBB-së, që është dhjetë herë më i ulët se mesatarja e OECD-së. Po ashtu, vetëm 10% e fëmijëve nën moshën 3 vjeç janë të regjistruar në çerdhe publike, thuhet ndër të tjera në raport.