Si sot, më 2 mars 1444 në Kishën katedrale të Shën Kollit në qytetin e Lezhës, aty ku gjendet edhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës dhe të tërë historisë kombëtare.
Kuvendi i Lezhës u krijua si një aleancë politike dhe ushtarake e fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Përpara se të mblidhej kuvendi, Gjergj Kastrioti zhvilloi një sërë takimesh me bujarët shqiptarë, duke i bindur ata se vetëm duke qenë të bashkuar do t’i bënin ballë armikut të përbashkët.
Në Kuvend u mblodhën përfaqësues të principatave shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiajt, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi.
Çështja kryesore e thirrjes së Kuvendit ishte bashkimi i gjithë forcave në luftën kundër osmanëve.
Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes, Gjergj Kastriot Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman. Kuvendi realizoi Besëlidhjen e madhe shqiptare, që i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbrit, ku u farkëtua shpirti i arbërve dhe identiteti ynë kombëtar.
Menjëherë pas Kuvendit të Lezhës, Skënderbeu filloi të organizonte ushtrinë e Lidhjes, e cila përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato që do të mobilizoheshin në rast lufte. Forcat e përhershme u formuan nga repartet e sundimtarëve shqiptarë, sipas kuotës që u ishte caktuar Lidhja Shqiptare e Lezhës. Sigurisht që Skënderbeu kishte rreth vetes gardën personale e cila përbëhej nga personalitete të shquar të asaj kohe.
Gjendja e principatave shqiptare në vitet ’30 të shek. XV dokumentohet nga Defteri i Sanxhakut Shqiptar i vitit 1482, ku janë të regjistruara një hapësirë e madhe e tokave shqiptare.
Dalja e Gjergj Kastrioti Skënderbeut në krye të elitës ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Lezhës lidhet me disa faktorë. Së pari, ai i kishte të gjitha cilësitë në drejtimin e luftës. Së dyti, njihte mirë gjendjen ekonomike dhe financiare dhe ushtarake të vendit.
Arsyeja e mbajtjes së këtij kuvendi në Lezhë kishte të bënte me pozicionin gjeografik të favorshëm. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, dhe, meqenëse Lezha ndodhej nën zotërimin venedikas, mënjanoheshin mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi. Mbajtja e tij në Lezhë ishte si një thirrje miqësore për bashkëpunim në luftën kundër osmanëve, që fisnikët shqiptarë i drejtonin me këtë rast Republikës së Shën Markut.
Fisnikët shqiptarë ruajtën të gjitha të drejtat që kishin mbi zotërimet e tyre. Në kuadrin e aleancës politike, çdo sundimtar ruante autonominë e tij politike. Secili anëtar kishte të drejtë të kishte lidhje me vende jashtë Lidhjes. Ndërmjet bujarëve të Lidhjes, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte i pari ndërmjet të barabartëve dhe nuk kishte të drejtë të ndërhynte në zotërimet e tyre.
Lidhja e Lezhës u bë kështu i pari bashkim politik në shkallë mbarë shqiptare që njihet në historinë e Shqipërisë. Skënderbeu u zgjodh kryetar i lidhjes dhe Komandant i përgjithshëm i saj. Nën udhëheqjen e Skënderbeut ushtria që ai organizoi, u bë një armë e fuqishme për mbrojtjen e vendit.
2 Marsi është mesazhi i bashkimit, në një, për Atdheun, që ka nevojë më shumë se kurrë t’i shikojë të gjithë bijtë e vet të ndershëm të një mendjeje e një zemre, që jetojnë e punojnë për të mirën e përbashkët, për të mirën e të gjithëve.
