Numri i fëmijëve që nisin klasën e parë në disa fshatra të Bulqizës ka rënë ndjeshëm, duke u kthyer në një shqetësim serioz për arsimin dhe jetën në zonat rurale.
Këtë vit, në pesë fshatra të Njësisë Administrative Shupenzë – “Zogje”, “Kovashicë”, “Shtushaj”, “Mazhicë” dhe “Bllacë” – është regjistruar vetëm një nxënës i klasës së parë, sipas gazetarit Enver Doçi.
Të gjithë fëmijët e këtyre fshatrave ndjekin shkollën 9-vjeçare “Man Jella” në Zogje, ku për vitin shkollor 2025–2026 rezulton i regjistruar vetëm një fillestar. Nga rreth 500 nxënës që kishte dikur kjo zonë, sot kanë mbetur vetëm 32, duke e detyruar shkollën të zhvillojë mësimin në klasa kolektive.
Sipas banorëve, ky realitet pasqyron boshatisjen e fshatrave. “Është fatkeqësia më e madhe e vendit,” shprehet Artan Zeneli nga Kovashica, duke treguar se si shkolla dhe jeta në këto zona po zbehen vit pas viti.