Qytetarët dhe bizneset duket se po tregohen më të përgjegjshëm para pushimeve dhe festave për të paguar si fillim borxhet e tyre.
Sipas treguesve të shëndetit financiar të Bankës së Shqipërisë, pagesat ndaj kredive ishin më të rregullta në muajin nëntor. Duke bërë që huatë me probleme ndaj totalit të huave të zbresin në 4.19% në muajin nëntor, një përmirësim ky më i lehtë në fundvit.
Rritja e të ardhurave dhe punësimi më i qëndrueshëm duket se kanë forcuar aftësinë paguese të individëve. Ndërsa ulja e normave të interesit në tr. 2 të 2025 dha ndikim duke ulur kostot e kredisë dhe ndihmuar qytetarët ti paguajnë më lehtësisht kreditë.
Jo vetëm ndikimet nga ana e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë dhe ecurisë së ekonomisë por edhe ristrukturimet që bankat kryejnë po ndikojnë në këtë raport të kredive me probleme.
Portofoli total i kredisë së dhënë nga 11 bankat tregtare në vend në fund të nëntorit ishte 855.5 miliardë lekë nga të cilat 38.7 miliardë ishin hua të papaguara në kohë.
Kreditë janë rritur ndjeshëm vitet e fundit si dhe vlera e tyre, me një dominim të huasë për shtëpi. Misioni i FMN ka përqafuar masat kufizimet ndaj kredimarrësve për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme, që sipas misionit mbush një boshllëk të mëparshëm dhe duhet të bëhet një mjet i përhershëm.
Pastrimi i portofolave të bankave dhe rikuperimi më i shpejtë i huave të vjetra duket se po japin rezultat. Treguesi konfirmon se sistemi bankar po hyn në një fazë më të qëndrueshme financiare.
Top Channel
