Instalimi i pajisjeve POS/POI (sistem i lidhur me bankat e nivelit të dytë për transaksionet me kartë bankare) në autobusët e transportit publik për pagesën e biletës me kartë bankare vijon të shkaktojë konfuzion te operatorët e transportit publik. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ngre sërish shqetësimin se procesi mbetet i paqartë, por edhe teknikisht gati i pazbatueshëm për kushtet aktuale të transportit urban.
Kryetari i shoqatës Kostandin Foni, pohoi për Monitor se këto masa po kërkohen në kuadër të plotësimit të standardeve që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Europian, por shtoi se kushtet konkrete për zbatimin e tyre ende nuk ekzistojnë.
“Problemi kryesor mbetet funksionimi teknik i pajisjeve. Për të operuar normalisht, POS-et duhet të jenë të lidhura me internet wireless, gjë që është pothuajse e parealizueshme për linjat urbane. Gjithashtu, pajisjet do të përdoren dhe do të mbahen nga faturinot apo shoferët, të cilët nuk janë të trajnuar për këtë sistem elektronik pagese”.
Shqetësim tjetër i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas janë edhe kostot e larta me të cilat do të përballen operatorët dhe pasagjerët nga vendosja e këtij shërbimi.
“Fillimisht është e paqartë se si do të veprohet për lidhjen e marrëveshjeve me institucionet financiare për aktivizimin e shërbimit. Shqetësim mbetet edhe kostoja që do të paguhet nga operatorët, por edhe nga pasagjerët. Në të dyja rastet, kostot mbeten të larta. Operatorët do të përballen me koston për blerjen e pajisjeve POS, e cila arrin deri në 50 mijë lekë për një pajisje, ndërsa vetëm instalimi i shërbimit kushton rreth 5 mijë lekë. Komisioni për mospërdorimin e pajisjes është 1 mijë lekë në muaj, ndërsa për mirëmbajtjen parashikohet një tjetër tarifë prej 1 mijë lekësh në muaj.
Kosto shtesë do të ketë edhe për pasagjerët. Nëse pasagjeri do të kërkojë të paguajë biletën me kartë bankare, çmimi i saj do të jetë më i lartë sesa 40 lekë, që është çmimi aktual i shënuar në biletë. Kërkojmë të informojmë qytetarët se kompanitë e transportit nuk ndryshojnë çmimet. Çmimi i biletës ndryshon vetëm me vendim të këshillit bashkiak. Por ne kemi marrë informacion nga bankat e nivelit të dytë se sa mund të jetë mesatarja e komisioneve për pasagjerët që do të kryejnë transaksionin me kartë bankare, përfshirë kostot e mirëmbajtjes së këtij sistemi që ofrohet nga institucionet financiare.
Për transaksionet me kartë bankare VISA/MasterCard, komisioni është 2.7% mbi vlerën e pagesës. Përveç këtij komisioni, aplikohet edhe një tarifë fikse prej 30 lekësh për çdo transaksion. Pasagjeri nuk do të paguajë më vetëm tarifën e shkruar në biletë, por do të ketë edhe kosto ekstra. Tatimet, bashkitë dhe institucionet përkatëse duhet të informojnë qytetarët se përse do të paguajnë më shumë. E theksoj se çmimi nuk rritet nga operatorët.”
Në këtë situatë të paqartë, operatorët kërkojnë që institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit e transportit të ulen në një tryezë diskutimi për të gjetur një zgjidhje që kjo kosto të mos rëndojë qytetarët.
“Ne mbështesim implementimin e këtyre pajisjeve, por kërkojmë nga institucionet shtetërore që ky shërbim të jetë pa kosto shtesë për transportin publik”, përfundoi ai.
Pak ditë më parë, në një letër drejtuar Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Bashkia Tiranë dhe Drejtoria e Transportit Rrugor, ngriti një sërë pikëpyetjesh që nga paqartësitë për implementimin e shërbimit dhe kostot shtesë që ngarkojnë udhëtarët dhe operatorët.
Nga institucionet shtetërorë deri tani nuk ka asnjë reagim për këtë shqetësim të operatorëve. Teksa afati për instalimin e pajisjeve POS/POI është deri më 30 Maj 2026./Monitor
