Më 2 tetor, Banka Kombëtare Tregtare hapi zyrtarisht dyert e degës së saj historike në Korçë, pas një procesi të plotë restaurimi dhe rinovimi. Kjo ndërtesë me arkitekturë të spikatur, e inauguruar për herë të parë më 28 nëntor 1926, mbart gati një shekull histori dhe tashmë është kthyer në një hapësirë ku trashëgimia e qytetit ndërthuret me standardet më të reja të shërbimit bankar.

Në ceremoninë zyrtare të inaugurimit morën pjesë Bordi Drejtues i BKT, drejtues të lartë dhe punonjës të bankës, nën kryetarja e bashkisë Korçë dhe prefekti i qarkut, klientë individë dhe biznesi, personalitete të qytetit e partnerë të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i Bordit Drejtues të BKT, Z. Mehmet Usta u shpreh:     

“Godina e degës sonë në Korçë, e rikthyer sot në pamjen e saj të dikurshme, është më shumë sesa një restaurim fizik, ajo është simbol i shpirtit të qëndrueshmërisë dhe përparimit të Korçës dhe një premtim për të ardhmen. Me një ambient të brendshëm bashkëkohor dhe model operacional të rikonceptuar, kjo hapësirë pasqyron vizionin tonë për t’u ofruar qytetarëve të Korçës një përvojë unike bankare që përmbledh më të mirën nga tradita dhe novacioni.

Dega e Korçës i bashkohet 27 degëve të tjera të BKT ku është implementuar modeli i ri i shërbimit, që ofron më shumë lehtësi, qasje më të shpejtë, procese të thjeshtuara dhe zgjidhje të personalizuara. Me një ekip profesionistësh të përkushtuar dhe me infrastrukturë dixhitale të standardeve më të larta, synimi ynë është të bëjmë çdo ndërveprim financiar më të natyrshëm, më efikas dhe më të afërt me nevojat e përditshme të qytetarëve dhe bizneseve.”

Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues të BKT, Z. Seyhan Pencabligil tha se kjo nismë vjen si pjesë e 100-vjetorit të themelimit të bankës, një moment historik që po shënohet me projekte konkrete si rinovimi i rrjetit të degëve në gjithë Shqipërinë dhe restaurimi i godinave historike. Pas përfundimit të punimeve në godinën Durrës, Elbasan dhe Korçë, gjatë muajit nëntor do të vijohet edhe me godinën historike të degës Vlorë, duke i rikthyer kështu degët historike në lavdinë e tyre origjinale.

Nënkryetarja e bashkisë Korcë Znj. Benila Themeli theksoi rëndësinë e godinës si një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit dhe vlerësoi rikthimin e pamjes së saj të dikurshme duke thënë se ky restaurim i shton Korçës një vlerë unike historike, arkitektonike dhe kulturore, që e bën këtë godinë jo vetëm një kujtesë të së shkuarës, por edhe një pasuri të gjallë për brezat që vijnë.

Prefekti i qarkut Korçë, Z. Nertil Jole, vlerësoi këtë investim si një dëshmi të besimit që BKT ka tek qyteti i Korçës dhe tek rajoni juglindor në tërësi. Ai theksoi se prania e një banke me traditë 100-vjeçare dhe pozicion të fortë financiar ndihmon jo vetëm qytetin, por edhe gjithë qarkun në nxitjen e investimeve, mbështetjen e bizneseve dhe fuqizimin ekonomik të zonës.

Në kuadër të këtij përvjetori të rëndësishëm dhe si pjesë e angazhimit për qëndrueshmëri dhe trashëgimi afatgjatë, BKT mbolli 100 rrape në qytetin e Korçës dhe në çdo qytet ku ndodhen degët e saj historike. Këto pemë simbolizojnë rrënjët e thella të bankës në shoqërinë shqiptare, si dhe përkushtimin për të kontribuar në një mjedis më të gjelbër për gjeneratat e ardhshme.

BKT është banka më e madhe në Shqipëri me një total aktivi prej rreth 7 miliardë dollarë në baza të konsoliduara grupi bankar në fund të dhjetorit 2024, duke zotëruar gjithashtu 25% të aseteve totale të sistemit bankar në Shqipëri. Ajo operon në Shqipëri nëpërmjet 62 degëve dhe agjencive dhe u shërben më shumë se 800,000 klientëve me produkte dhe shërbime novatore.

Falë performancës së saj të lartë BKT është vlerësuar ndër vite me çmime të ndryshme prestigjioze si “Banka më e Mirë në Shqipëri” nga institucione të mirënjohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si The Banker, Global Finance, Euromoney, Emea Finance, Finance Central Europe etj. Aksionari i vetëm i bankës është Çalık Holding, themeluar në vitin 1981 në Stamboll që operon në sektorë të ndryshëm duke përfshirë atë të energjisë, ndërtimit, tekstileve, minierave dhe financës.